Riola Xhemaili thotë se e ka të vështirë ta përshkruajë me fjalë ftesën e Përfaqësueses së Zvicrës për Evropianin që në muajin korrik mbahet në Angli. Futbollistja e skuadrës së Freiburgut është përfshirë listën e 23 lojtareve te Zvicrës nga përzgjedhësi Nils Nielsen. Lista e futbollisteve për Evropian nga përzgjedhësi danez është publikuar të martën, ndërsa 19-vjeçarja synon shkëlqimin me fanellën e Zvicrës në këtë ngjarje.
“Jam shumë e lumtur që jam përfshirë në ekipin e Zvicrës. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë këtë emocion. Kam punuar shumë për të arritur në këtë nivel. Është një ëndërr e realizuar dhe dua ta përjetoj maksimalisht me pjesëmarrjen në këtë ngjarje”, ka thënë Xhemaili të martën për KOHËN.
Riola njihet për aftësitë të jashtëzakonshme të udhëheqjes me top. Me fizikun e saj, ajo ofron intensitet të lartë. Riola ka debutuar te Zvicra U19 me fitoren 7:0 ndaj Letonisë. Në tetor të vitit 2019 shënoi “hat-trick” në debutim. Madje, tre golat i realizoi brenda tre minutave. Në shtator të vitit 2020 bëri paraqitjen e parë për ekipin A të Zvicrës. Që atëherë, mesfushorja e Freiburgut ka shënuar dy gola në 12 paraqitje.
“Falënderoj Zvicrën shumë për vlerësimin dhe besimin që ka për mua. Dëshiroj që në kampionatin evropian të arrij sa më lart që është e mundur duke dhënë maksimumin, me ndihmën e të gjitha bashkëlojtareve”, ka theksuar Xhemiali.
Zvicra është pjesë e Grupit C në Evropian, së bashku me Suedinë, Holandën dhe Portugalinë. Ndeshjen e parë Zvicra e luan kundër Portugalisë më 9 korrik. Më 13 korrik luan ndaj Suedisë, kurse më 17 korrik përballet me Holandën. Te Suedia është edhe një tjetër futbolliste kosovare. Bëhet fjalë për yllin e përfaqësueses së Suedisë, Kosovare Asllani.
“Do të jap maksimumin edhe pse është ngjarja e parë e madhe për mua. Do të angazhohem shumë për ta dhënë maksimumin duke luajtur përkrah shumë lojtareve të njohura në botë”, është shprehur Xhemaili.
Riola është rritur në Solothurn të Zvicrës, së bashku me motrën më të madhe dhe vëllain binjak. Është nga një familje që e do futbollin. Babai dhe xhaxhallarët e saj ishin futbollistë. Njëri prej tyre ka luajtur për ekipin e njohur zviceran Grasshoppers.
Vëllai i saj Rioni luan për ekipin U21 të Baselit. Në një ndeshje të tij, trajneri e ftoi Riolën për stërvitje. Nisi me ekipin U-11 të djemve të Solothurnit. Riola më pas kaloi te Baseli dhe ishte vajza e vetme në ekipin e djemve. Ishte më pas kapitene e ekipit U15. Ajo debutoi për ekipin e futbollisteve të rritura të Baselit në muajin shkurt të vitit 2019, kur ishte ende 15-vjeçare. Tani, Riola luan te Freiburgu në Bundesligë, dhe është një lojtare e rëndësishme në përfaqësuesen “helvetike”, ndonëse ende është vetëm 19-vjeçare. Te Freiburgu, Riola mban fanellën me numrin 10, numër i pëlqyer ky në botën e futbollit. Riola më herët për KOHËN pati thënë se ka dashuri të madhe edhe për Kosovën, vendlindjen e prindërve të saj.
“Kosova është një vend i shumë mrekullive, mikpritjes, zemërgjerësisë dhe gjërave pozitive”, pati thënë Xhemaili.