Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Freiburgu dhe Xhemaili të kënaqur me vazhdimin e bashkëpunimit

Dy ditë pasi shënoi golin e parë në Bundesligën e Gjermanisë, Riola Xhemaili u shpërblye me kontratë të re nga skuadra e Freiburgut. Xhemaili shënoi të dielën golin e pestë në fitoren e Freiburgut kundër Sandit me rezultatin 7:1. Në 19 paraqitje, ajo ka edhe pesë asistime për ekipin elitar të Gjermanisë. Një gol të shënuar ka edhe në Kupën e Gjermanisë. Xhemaili iu bashkua Freiburgut - ku luan edhe reprezentuesja e Kosovës, Erëleta Memeti - nga Baseli në verën e vitit të kaluar. Por futbollistja e Zvicrës ka bindur klubin gjerman që ta mbajë edhe më gjatë në radhët e veta. Në klubin gjerman nuk janë bërë të ditura përmbajtja e as kohëzgjatja e kontratës, por thuhet se palët janë pajtuar për vazhdimin e bashkëpunimit. Te Freiburgu nuk kanë fshehur kënaqësinë që 19-vjeçarja vendosi të qëndrojë edhe më gjatë në radhët e tyre.

“Riola është ende shumë e re dhe ka shumë talent. Më vjen mirë që ajo dëshiron të vazhdojë zhvillimin e saj në klubin sportiv. Ajo bëri kapërcimin nga futbolli zviceran në Bundesligën gjermane. Tani ka të bëjë me vendosjen hap pas hapi në këtë ligë”, ka thënë kreu i departamentit të Freiburgut, Birgit Bauer-Schick.

19-vjeçarja me prejardhje nga Gjilani cilësohet njëra prej talenteve më të mëdha të futbollit në Zvicër. Riola është rritur në Solothurn të Zvicrës, së bashku me motrën më të madhe dhe vëllanë binjak. Ajo debutoi për ekipin e futbollisteve të rritura të Baselit në muajin shkurt të vitit 2019, me vetëm 15 vjet. Xhemaili ka pranuar se te Freiburgu e ka gjetur rehatinë.

“Freiburgu ka vendosur një tjetër standard për zhvillimin e lojtareve të reja. Ndihem jashtëzakonisht rehat këtu dhe ndiej vlerësimin e të gjithëve në klub. Do të doja të vazhdoja ta ndjek këtë zhvillim pozitiv dhe të luaj rol të madh për të qenë të barabartë dhe konkurrentë të fortë me skuadrat më të mira në Gjermani”, ka thënë Xhemaili. Freiburgu pas 20 ndeshjeve të luajtura në Bundesligë zë vendin e shtatë në tabelë me 22 pikë të mbledhura. Riola është një lojtare e rëndësishme në Përfaqësuesen e Zvicrës, ndonëse ende është në moshën 19-vjeçare. Synimet e saj janë më të mëdha.

Riola ka debutuar te Zvicra U19 me fitoren 7:0 ndaj Letonisë. Në tetor të vitit 2019 shënoi “hat-trick” në debutim. Madje, tre golat i realizoi brenda tre minutave. Në shtator të vitit 2020, Xhemaili bëri paraqitjen e parë për ekipin A të Zvicrës. Që atëherë, mesfushorja e Freiburgut ka shënuar dy gola në 11 ndeshje. Zvicra është kualifikuar për në Kampionatin Evropian që në korrik të këtij viti mbahet në Angli. Zvicra është pjesë e Grupit C bashkë me Rusinë, Suedinë dhe Holandën. Sipas UEFA-s, Riola është lojtare që duhet ndjekur në Evropian. Ndeshjen e parë Zvicra e luan kundër Rusisë më 9 korrik. Më 13 korrik luan ndaj Suedisë, kurse më 17 korrik ndaj Holandës.