Njëra prej futbollisteve më të talentuara në Zvicër, mesfushorja Rioa Xhemaili do ta vazhdojë karrierën në Gjermani.
Xhemaili 18-vjeçare, të mërkurën është prezantuar te skuadra e Freiburgut por që detajet e kontratës nuk janë bërë të ditura. Xhemaili që ishte pjesë e skuadrës së Baselit, te Freiburgu po shihet si përforcim i rëndësishëm për sezonin e ardhshëm.
“Me transferimin e Riola Xhemailit, ne e kemi forcuar edhe më shumë ekipin tonë të ri të Bundesligës. Ne jemi shumë të bindur se Riola do të na ndihmojë shumë për të arritur synimet tona sportive”, ka thënë menaxherja e Freiburgut, Birgit Bauer.
Xhemaili që është zhvilluar si futbolliste te Baseli, edicionin e shkuar ka regjistruar 25 paraqitje për ekipin zviceran dhe ka shënuar shtatë gola. Ajo gjithashtu ka luajtur edhe për Përfaqësueset U17 e U19 të Zvicrës përpara se në shtator të vitit të shkuar të debutojë me ekipin A, për të cilin ka regjistruar katër ndeshje deri më tani. Vet Riola është shprehur e lumtur që karrierën do ta vazhdojë te skuadra e Freiburgut, ku është e bindur se nuk do t’i mungojnë sukseset.
“Me padurim po e pres sfidën e re te Freiburgu. Unë dua ta dëshmoj veten te kjo skuadër dhe në futbollin e Gjermanisë. Drejtuesit e Freiburgut më bënë të ndihem shumë mirë pas interesimit që treguan për mua dhe jam shumë e lumtur që do të jem pjesë e këtij ekipi”, ka thënë Xhemaili.