Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pas Evropianit, Riola Xhemaili synon paraqitjen edhe në Botëror

Riola Xhemaili

Riola Xhemaili ishte njëra prej lojtareve kyç në fitoren rekord të Zvicrës kundër Moldavisë të martën mbrëma. Talentja kosovare shënoi tre gola për Zvicrën në fitoren 15:0, në ndeshjen e fundit kualifikuese për Botërorin e vitit të ardhshëm, që mbahet në Australi dhe Zelandë të Re. Zvicra përfundoi e dyta në grupin G dhe do të paraqitet në plejofin e Botërorit. Plejofi zhvillohet nga 6 deri më 11 tetor. Zvicra është vetëm një ndeshje larg kualifikimit në Botëror.

Xhemaili thotë se nuk kanë ndonjë ekip të preferuar për kundërshtar në plejof. Por, Riola është e vendosur të luajë me Zvicrën edhe në Botëror. 19-vjeçarja luajti për Zvicrën në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Evropianit që u mbajt gjatë verës së këtij viti. Luaji kundër Holandës.

“Nuk kemi kundërshtar të preferuar”, ka thënë Xhemaili, raporton gazeta zvicerane “Blick” të mërkurën.

Xhemaili u inkuadrua në pjesën e dytë ndaj Moldavisë, ndërsa shënoi golin e nëntë në minutën e 53-të. Golin e dytë personal e shënoi në minutën e 75-të, që ishte i 12-ti për Zvicrën, kurse “hat-trickun” e kompletoi në minutën e 81-të, që ishte goli i 14-të për “helvetiket”.

Ajo është ndarë e lumtur që shënoi tre gola në fitoren e thellë të Zvicrës. Dëshira e saj ishte të shënonte edhe një ose dy gola tjerë.

“Doja të shënoja edhe një ose dy gola”, është shprehur talentja nga Gjilani. Në fakt, ajo lëshoi edhe disa raste të mira shënimi. Por, megjithatë, është e kënaqur edhe me tre golat e shënuar.

Edhe Xhemaili synon shkëlqimin me Zvicrën në Evropian Sport Xhemaili synon shkëlqimin me Zvicrën në Evropian

Riola përgëzon ekipin për karakterin e treguar në fushë. Thotë se Zvicra ka krijuar një skuadër të fortë.

“Fakti që kemi shënuar 15 gola tregon edhe cilësinë e ekipit”, ka thënë Xhemaili.

Riola vlerësohet një prej talenteve më të mëdha që ka futbolli zviceran aktualisht. Ajo ka marrë vlerësime të larta nga trajnerë të futbollit. Njihet për aftësitë e jashtëzakonshme të udhëheqjes me top. Me fizikun e saj ofron intensitet të lartë. Riola ka debutuar te Zvicra U19 me fitoren 7:0 ndaj Letonisë. Në tetor të vitit 2019 shënoi “hat-trick” në debutim. Tre golat i realizoi brenda tre minutave. Në shtator të vitit 2020 bëri paraqitjen e parë për ekipin A të Zvicrës. Që nga atëherë mesfushorja e Freiburgut ka bërë vend te Zvicra. Cilësohet e ardhmja e përfaqësueses “helvetike”.