Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Xhaka tregon pse e goditi kundërshtarin me kokë

Skena të pahijshme u panë në fund të ndeshjes së Superligës të Zvicrës ndërmjet Baselit dhe Zuerichut, që u zhvillua më 7 maj. Episodi kryesor i asaj skene ishte në minutën e 12-të të kohës shtesë. Kapiteni i Baselit, Taulant Xhaka, u ndëshkua direkt me karton të kuq pasi e goditi me kokë në trup mbrojtësin e Zuerichut, Nikola Katiq. Më vonë, 32-vjeçari për këtë veprim mori një dënim të rëndë, duke u pezulluar për tetë ndeshje.

Deri më tani, Xhaka i ka vuajtur katër ndeshje prej këtij pezullimi, ndërsa për incidentin e muajit të shkuar ka folur për herë të parë nga kampi stërvitor i Baselit, që po mbahet në Seefeld të Austrisë. Ai ka pranuar se nuk është dashur të reagojë në atë mënyrë, por shton se humbi kontrollin dhe për këtë ndihet keq.

“E humba kontrollin. Kjo gjë nuk duhet të më ndodh mua. Me vjen shumë keq”, tha mesfushori i Baselit.

Xhaka ka thënë se ishte provokuar disa herë gjatë ndeshjes nga mbrojtësi Katiq dhe ka arritur të përmbahet deri në momentin kur shpërtheu. Xhaka ka zbuluar se Katiq e ka fyer edhe familjen e tij, saktësisht gruan dhe fëmijët. Ai thotë se është dashur ta injorojë Katiqin, por nuk mundi.

“Në fillim isha në gjendje ta kontrolloj veten, por pasi mora fillimisht kartonin e verdhë që u shndërrua në të kuq, ai mbuloi gojën me fanellë dhe fyeu gruan dhe fëmijët e mi. Kjo bëri që ta humb kontrollin dhe të reagoj në atë mënyrë”, ka shtuar Xhaka. “Ajo që dëgjova prej tij në atë ndeshje mund të them se kurrë nuk e kam përjetuar në karrierën time”.

Mesfushori, që ka 363 paraqitje për Baselin, është gjithashtu i inatosur që askush publikisht nuk ka pyetur për sjelljen dhe veprimet e mbrojtësit të Zuerichut ndaj tij.

“Provokimet janë pjesë e futbollit, por kur vjen në pyetje familja dhe fëmijët, atëherë kalohet kufiri”, u shpreh Xhaka, i cili pranoi se edhe vetë është provokator gjatë ndeshjeve. “Megjithatë unë kurrë nuk e fyej dikë me familje apo fëmijë”.

Futbollisti më i adhuruar i tifozëve të Baselit nuk e ka ndërmend ta arsyetoj veprimin e tij. Madje, ai thotë se ka pritur dënim edhe më të madh sesa pezullimi prej tetë ndeshjeve.

“Kam pritur pezullim më të madh sepse mendoj se liga veçse më kishte vënë syrin. Pezullimin e kam diskutuar edhe me familjen në shtëpi, ndërsa babai më tha se ka pritur të pezullohem për të paktën 11 ndeshje”, thotë Xhaka.

Futbollisti luftarak është i prekur nga reagimi i djalit të tij trevjeçar kur është kthyer në shtëpi pas ndeshjes me Zuerichun. E ai reagim i të birit nuk i ka pëlqyer aspak.

“Kur shkova në shtëpi ai e imitoi reagimin tim me kokë. E kjo nuk ishte aspak e pëlqyeshme për mua”, deklaroi Xhaka, duke shtuar se e kishte shikuar ndeshjen në televizor me gruan e tij.

32-vjeçari nuk mund ta kuptoj se për çfarë arsye e ka fituar reputacionin e një lojtari të ashpër në kampionatin zviceran. Ai thotë se nuk është i ashpër dhe këtë e dëshmon me fakte.

“Në tërë karrierën time jam ndëshkuar vetëm tri herë direkt me karton të kuq. Sigurisht, jam person emocional, por kurrë nuk do ta lëndoja qëllimisht kundërshtarin për shkak se nuk është e drejtë”.

Lideri i Baselit është i detyruar të pauzojë në katër ndeshjet e para të edicionit 2023/24, përpara se të kthehet në fushë. Ai po vazhdon duke e dhënë maksimumin në stërvitje për të qenë sa më i gatshëm për ekipin.

Kur të kthehet në fushë, nuk do të shkojë shumë kohë dhe Xhaka do të përballet sërish me Zuerichun dhe mbrojtësin Katiq, në muajin shtator.

“Për fat të mirë janë edhe ndeshjet kualifikuese të Ligës së Konferencës. Por, unë do të stërvitem dhe mund ta kem avantazhin që kur të kthehem nga suspendimi të jem edhe më i freskët. Po ashtu, do ta shoh edhe trajnerin e ri se çfarë sistemi të lojës do ta aplikojë”.

Edicionin e shkuar Xhaka regjistroi 36 ndeshje për skuadrën e Baselit në të gjitha garat, ku bëri edhe 6 asistime. Por kontributi në anën defanzive ishte më i madh.

Artikuj të ngjashëm