Sport

Xhaka e Shaqiri do të mirëpriten në Prishtinë, por jo edhe Bislimi

Atmosfera pritet të jetë e zjarrtë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, të shtunën mbrëma, kur do të përballen Kosova me Zvicrën në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Mikpritja do të jetë e ngrohtë nga tifozët e Kosovës në tribuna për Zvicrën, në veçanti për Granit Xhakën e Xherdan Shaqirin. Mirëpo, një pritje e tillë nuk mund të garantohet edhe për Uran Bislimin, i cili është pjesë e Zvicrës pasi është ftuar nga selektori Murat Yakin për ndeshjet e këtij muaji. Bislimi në nëntor të vitit të shkuar ishte pjesë e Kosovës dhe debutoi me fanellën e “Dardanëve” ku edhe shënoi gol. Ai luajti në miqësoret kundër Armenisë dhe Ishujve Faroe, por më pas refuzoi ftesën e Kosovës për ta përfaqësuar Zvicrën.

“Pritet një atmosferë e jashtëzakonshme, sinqerisht. Dhe tashmë mund t'ju them se Zvicra do të ketë një pritje jashtëzakonisht të ngrohtë, kryesisht të dy lojtarët: Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka. Federata jonë dhe mbështetësit tanë tifogrupi ‘Dardanët’ tashmë ka përgatitur gjithçka, ju siguroj. Të gjithë mund të presin një mbrëmje të mrekullueshme, e cila do të shkojë përtej futbollit dhe kësaj ndeshjeje. Nuk është vetëm një lojë futbolli për ne”, ka thënë menaxheri i Kosovës, Bajram Shala, për gazetën zvicerane “Blick”.

Shala ka insistuar se Xhaka dhe Shaqiri gëzojnë respekt të madh për Kosovën, që ndihet krenare për prezantimin që i bëjnë me paraqitjet e tyre. Sipas Shalës, dy futbollistët kanë treguar dashuri për Kosovën edhe përpara se Federata e futbollit të pranohej në FIFGA dhe UEFA.

“Ata janë shumë të respektuar dhe të dashur këtu. Mënyra se si flasin për Kosovën, se si e prezantojnë, na mbush me krenari. Respektin dhe dashurinë që e kanë për Kosovën, ne ua kthejmë në të njëjtën nivel, edhe pse nuk luajnë për Kosovën”, është shprehur Shala.

Mirëpo, Shala ka thënë se të njëjtin respekt sikurse Xhaka e Shaqiri në Kosovë nuk e gëzojnë edhe lojtarët e tjerë. Në këtë rast, Uran Bislimi dhe Andi Zeqiri. Sulmuesi Zeqiri nuk është ftuar te Zvicra për këto ndeshje, por para se të vendoste ta përfaqësonte Zvicrën, kishte pranuar të luante për Kosovën. Sipas Shalës, këta dy lojtarë e kanë shfrytëzuar Kosovën dhe për këtë arsye nuk gëzojnë as respekt.

“Për fat të keq, nuk mund të them se disa lojtarë që janë pjesë e Zvicrës tani dhe kanë qenë më përpara, gëzojnë respekt në Kosovë. Dallimi është në fjalët dhe veprimet e tyre. Ne e kuptojmë kur një lojtar preferon një vend tjetër dhe e respektojmë vendimin, por jo ata që shfrytëzojnë Kosovën për të bërë presion në një shtet tjetër”, ka thënë Shala.

Shala ka folur në detaje për rastin e Bislimit, për të cilin thotë se kishin besim të madh edhe kur nuk ishte startues i rregullt te Lugano.

“Ne e kemi përcjellë dhe përkrahur Bislimin dhe kur iu bashkua Luganos kishim besim se do të bëhej një lojtar i mirë. Por, papritmas u zhduk dhe nuk lajmërohej as në telefon. Pastaj pranuam email nga Lugano ku thuhej se ai nuk do të vinte më dhe kjo ndodhi në shtator të vitit të shkuar. Pastaj kishim kontakt me të afërmit e tij, të cilët na thanë se ai kishte gabuar dhe tani është plotësisht i bindur për të luajtur te Kosova”, ka shpjeguar Shala. “Menduam t’i japim edhe një rast pasi ishte i ri dhe pasi biseduam me të, u bindëm për ta ftuar. Erdhi në grumbullimin e nëntorit pati paraqitje të mira, ku shënoi edhe gol por pastaj u zhduk përsëri”.

Bislimi ishte ftuar për ndeshjet e para kualifikuese për “Euro 2024” në muajin mars, madje i ishin dërguar të gjitha të dhënat, përfshirë edhe biletat e aeroplanit. Por, ai nuk kishte hipur në të dhe as që u ishte lajmëruar telefonatave të shumta.

“Ai zgjodhi Zvicrën që nuk është problem, por shfrytëzimi i Kosovës nuk do të harrohet kurrë. Respekti ka vdekur për rastin e tij, sikurse në rastin e Andi Zeqirit”, ka thënë Shala.

Shala ka thënë se përkundër startit të dobët në këtë cikël eliminator, Kosova ka pak gjasa për kualifikim në Evropian dhe shpreson që të tubojnë sa më shumë pikë deri në fund. Po ashtu, ai ka pranuar se edhe ish-selektori Bernard Challandes është shumë i dashur në Kosovë.