Mesfushori Uran Bislimi dhe mbrojtësi Albian Hajdari ishin në listën e gjerë të Zvicrës për Euro 2024. Dy futbollistët e Luganos është dashur të grumbullohen vetëm të mërkurën me përfaqësuese.
Por selektori Murat Yakin ka vendosur të zvogëlojë listën për katër emra. Dhe Bislimi e Hajdari janë në mesin e lojtarëve që Yakin nuk i llogarit më. Ata janë eliminuar ende pa u grumbulluar me përfaqësuese.
Zvicra nisi grumbullimin javën e kaluar, por Lugano të dielën e zhvilloi ndeshjen finale për Kupë. Pësoi nga Servette. Të martën Zvicra luajti miqësore, dhe plani ishte që Bislimi e Hajdari të grumbullohen të mërkurën. Janë larguar nga grumbullimi edhe Filip Ugriniq e Kevin Mbabu.
Yakini për herë të dytë ka hequr lojtarë nga ekipi i zgjeruar. Por ekipi final nuk është caktuar ende.
Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Ardon Jashari e Andi Zeqiri janë ende në grumbullim. Shaqiri e Xhaka e kanë vendin e sigurt, ndërsa Jashari e Zeqiri duhet të luftojnë deri në fund. Ka mbetur që të eliminohet edhe një lojtar.
Ndërkohë Bislimi e Hajdari tani janë në listë të pritjes. Bislimi ka disa paraqitje për Zvicrën A, kurse Hajdari është në pritje të debutimit.
“Jemi pajtuar me Bislimin e Hajdarin që mos të udhëtojnë për në St. Gallen për ditët e mbetura të parakampit. Por ata do ta ushtrojnë që të jenë të përgatitur nëse na duhen gjatë turneut”, ka thënë Yakin.
Të martën nga grumbullimi u larguan edhe portierët Pascal Loretz e Marvin Keller. Ekipi final duhet të caktohet deri të premten. Nëse ndonjë lojtar lëndohet para ndeshjes së parë në grup në Euro 2024, ai mund të zëvendësohet.