Sytë e botës së sportit dhe edhe më larg janë te Dana White dhe te versioni i tij UFC, ku janë planifikuar tri mbrëmje me luftëra brenda tetë ditëve në maj.
Të shtunën, UFC do të bëhet sporti i parë në SHBA që do t’i kthehet aksionit, përkundër pandemisë së koronavirusit.
Presidenti i serisë më të madhe të Arteve Marciale të Përziera është në dijeni për kritikat që po vijnë në drejtim të tij.
“Dëgjoni, edhe ne kemi familje”, ka thënë Whute nga selia e tij në Las Vegas për CNN Sport. “Edhe unë kam familjare, nuk dua të lëndoj familjen time. Nuk dua të vdes. Nuk është thjeshtë një çmenduri, por është një plan i menduar mjaft mirë. Ne kemi pasur njerëz shumë të mençur, mjekë dhe njerëz që kanë qenë të përfshirë në UFC që kanë punuar pa ndalë në këtë. Ne besojmë se kemi gjërat në vend që të organizohen mbrëmjet në mënyrën më të sigurt të mundshme”.
Tri ngjarjet më 9 maj, 13 maj dhe 16 maj do të organizohen në Jacksonville, Florida, ku UFC – që zakonisht mbledhë tifozëri deri në 20 mijë – ka konfirmuar se këto mbrëmje do të jenë pa tifozë për shkak të pandemisë. Në tribuna do të jenë vetëm personeli esencial.
“Gjithë sportistët dhe stafi kërkohet t’i përmbahen një numri të masave parandaluese, si të marrin pjesë në teste mjekësore dhe të kontrollohet temperatura e tyre e po ashtu duhet të mbajnë distancën sociale”, është shkruar në faqen e UFC-së.
Kryebashkiaku i Jacksonvillet, Lenny Curry, ka thënë se promocioni ka paraqitur një plan të sigurt dhe të mençur, ndërsa Patrick Cunningham, drejtori ekzekutiv i Komisionit të Boksit dhe Sporteve Luftarake në Jacksonville, ka thënë se “protokollet e shëndetësisë dhe të sigurisë do të jenë në vend për të siguruar mirëqenien e gjithë individëve që po e bëjnë të mundur kthimin e këtyre ngjarjeve”.
White insiston se çdo gjë është e menduar mirë.
“Luftëtarët nuk mund thjeshtë të paraqiten në Florida dhe të bëjnë festa aty apo të ecin nëpër rrugë. Na duhet që edhe ata të ndihmojnë”, ka thënë White.
Derisa sportet tjera mbesin të shqetësuara për rreziqet e organizimit të garave, kreu i UFC-së ka sytë edhe për të ardhmen.
Ai planifikon të organizojë mbrëmje edhe në ishuj privat, duke i sjellë luftëtarët atje me aeroplan privat. Këto mbrëmje pritet të organizohen nga mesi i qershorit.