Sport

Shtyhet ngjarja shumë e përfolur e UFC-së

Një ngjarje shumë e përfolur e UFC-së është shtyrë për më vonë.

UFC 249 ishte planifikuar të organizohej më 18 prill, por është shtyrë për një datë tjetër. Presidenti i UFC-së, Dana White ka treguar se atij i është thënë që të heq dorë nga organizimi i ngjarjes.

Më herët këtë javë White ka thënë se është afër për të siguruar një ishull privat për të bërë të mundur organizimin e ngjarjes gjatë pandemisë së koronavirusit.

“E gjithë kjo ka qenë betejë prej ditës së parë”, ka thënë White për ESPN. “Kemi pranuar thirrje nga niveli më i lartë në ‘Disney’ dhe nga niveli më i lartë në ‘ESPN’. Fuqitë e atjeshme kanë kërkuar nga unë që të heq dorë dhe mos të organizojë këtë ngjarje të shtunën e ardhshme”.

Në një komunikatë të UFC-së thuhet: “Derisa organizata ishte plotësisht e gatshme për të organizuar ngjarjen UFC 249, ESPN ka kërkuar shtyrjen e ngjarjes deri në një njoftim tjetër, për shkak të pandemisë së koronavirusit”.

Njoftimi u dha disa orë pasi Rose Namajunas hoqi dorë nga paraqitja në ngjarje, pasi dy anëtarë të familjes së saj vdiqën për shkak të koronavirusit.

UFC 249 është dashur të mbahet fillimisht në Brooklyn. Lufta kryesore është dashur të jetë ajo e pritur gjatë në mes të Khabib Nurmagomedovit dhe Tony Fergusonit. Por Nurmagomedov hoqi dorë për shkak të kufizimieve në udhëtim. Nurmagomedov u zëvendësua nga Justin Gaethje, por ngjarja megjithatë nuk do të mbahet.

UFC-ja është seria kryesore e Arteve Marciale të Përziera (MMA).

White ka thënë se ngjarja në ishullin privat do të mbahet në të ardhmen.