Presidenti i UFC-së, Dana White ka thënë se është afër që të sigurojë një ishull privat për të vazhduar organizimin e luftërave gjatë krizës së koronavirusit.
White ka thënë se mbrëmja e radhës e UFC-së do të organizohet më 18 prill në një lokacion të cilin nuk e ka zbuluar ende.
Kompania më e madhe e Arteve Marciale të Përziera (MMA) është detyruar të shtyjë tri ngjarje në muajt e fundit, për shkak të koronavirusit. White ka thënë se do të vazhdojnë të organizojnë ngjarjet tjera.
“Nga 18 prilli, UFC do të kthehet sipas planit”, ka thënë White për uebfaqen “TMZ”, transmeton Koha.net.
Ai ka thënë se është një apo dy ditë larg që të gjejë lokacionin për të filluar organizimin e meçeve.
Pasi që shtetet kanë bërë kufizime në udhëtime e po ashtu shumë kanë mbyllur edhe kufijtë, White planifikon të përdorë një ishull privat për të dërguar luftëtarët atje të cilët përndryshe nuk do të jenë në gjendje të futen në SHBA.
Kampioni i kategorisë së lehtë Khabib Nurmagomedov ishte paraparë të ndeshej me Tony Fergusonin në New York në kuadër të UFC 249. Por, Nurmagomedov është në karantinë në Rusi, ndërsa White ka konfirmuar se Justin Gaethje do ta zëvendësojë atë.
White ka thënë se UFC do të organizojë mbrëmje më shpesh, por se luftëtarët do të testohen rregullisht për koronavirus dhe nuk do të ketë tifozë në ngjarjet.
“Unë kam rezervuar këtë vend për dy muaj. E kam këtë vend për dy muaj dhe do të organizojmë luftëra çdo javë. Ne do të sigurohemi që sportistët, referët, personat e produksionit, që të gjithë të jenë shëndosh para, gjatë dhe pas luftërave”, ka thënë White. “Nuk do të jem në gjendje të sjelli gjithë luftëtarët e huaj në SHBA, kështu që do t’i sjelli në ishull dhe të bëjë meçe ndërkombëtare atje”.
White po ashtu ka treguar për meçet e tjera në UFC 249, ku pritet Rose Namajunas të përballet me Jessica Andraden dhe Francis Ngannou me Jairzinho Rozenstruikun.