Pronari i UFC-së, Dana White ka zbuluar planet sensacionale për ishullin e luftërave, që ndër të tjera përfshinë një oktogon (kafaz) në plazh.
White nuk dëshiron që koronavirusi të shkatërroj planet e tij për të organizuar luftëra në të ardhmen e afërt. Plani i tij është që luftërat në ishull të zhvillohen gjatë qershorit.
White hoqi dorë nga mbrëmja ku është dashur të përballen Tony Ferguson e Justin Gaethje për shkak të presionit të madh nga drejtuesit e ESPN.
Por White nuk po heq dorë nga plani për të organizuar luftërat në kafaz në një ishull privat, në të cilat do të merrnin pjesë luftëtarë nga vende të ndryshme.
Ata do të fluturojnë për në lokacionin e panjohur privat dhe do të përballen me kundërshtarët pa praninë e shikuesve, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
White ka dhënë detaje për planin e tij për ishull, ku do të përfshihen hapësira për stërvitje dhe hotele për garuesit. UFC-ja është seria kryesore e Arteve Marciale të Përziera.
“Ishulli i Luftës pritet të jetë i gatshëm në qershor. Unë duhet të jem në gjendje të organizoj ngjarje ndërkombëtare në qershor. Prej 9 deri më 23 maj do të mbajmë katër shfaqje. Më pas në qershor mund të fillojmë në ishull. Në vërtetë po e vendosim një oktogon në plazh”, ka thënë White për ESPN.
“Do të ketë pajisje të stërvitjes për garuesit. Ka hotele. I tërë ishulli do të ndërtohet. E gjithë infrastruktura pritet të ndërtohet për UFC-në që të mbahen luftëra atje. Nuk po ngutem për të kthyer tifozët në arenë. E di që mund të bëjmë këtë të sigurt, pa tifozë”.
Askush nuk e di lokacionin e ishullit, por tifozët kanë spekuluar se mund të jetë në bregun e Kalifornisë. White ka thënë se UFC-ja do të jetë sporti i parë që do të vazhdojë.
“Ishulli i Luftës është i vërtetë. Është gjë reale. Infrastruktura po ndërtohet dhe kjo vërtetë do të ndodhë. Do të jetë në ESPN”, ka theksuar White.