Presidenti i UFC-së, Dana White ka insistuar se përballja e Khabib Nurmagomedovit për titull të kategorisë së lehtë me Tony Fergusonin do të zhvillohet më 18 prill, ashtu si është planifikuar, përkundër përhapjes së koronavirusit.
UFC-ja, që është seria më e madhe e Arteve Marciale të Përziera (MMA), ka anuluar tri ngjarjet e ardhshme për shkak të virusit COVID – 19, duke përfshirë edhe një në Londër që ishte planifikuar për fundjavë.
Por nuk ka plane për të anuluar ngjarjen UFC 249 në të cilën do të përballen Khabibi dhe Fergusoni, në luftën e tyre të pritur shumë gjatë. Mbrëmja është paraparë të mbahet në New York, por mund të zhvendoset në një vend tjetër.
“Tony Ferguson kundër Khabib Nurmagomedov është ende në fuqi”, ka thënë White.
“Ajo luftë do të ndodhë. Do t’iu përmbahemi këshillave, nuk do të ketë më shumë se dhjetë persona. Shpresojmë se çdo gjë do të jetë në rregull deri në prill dhe se lufta do të organizohet. Ndoshta nuk do të mbahet në SHBA, por ajo luftë do të ndodhë”, ka theksuar White.
UFC-ja ka anuluar ngjarjet e parapara të mbahen më 21 mars, 28 mars dhe 11 prill.