Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

West Hami i pakënaqur që Ajeti refuzoi kalimin te Celticu

Te West Ham Unitedi kanë mbetur të zemëruar me vendimin e sulmuesit Albian Ajeti për të refuzuar kalimin te skuadra e Celticut gjatë kësaj vere, kanë njoftuar të premten mediumet angleze. Ditë më parë ishte raportuar se Ajeti ishte pranë transferimit te Celticu dhe pritej në fillim të javës së ardhshme t’u nënshtrohej kontrollimeve mjekësore te skuadra skoceze. Gjithashtu, edhe skuadrat kishin arritur marrëveshje mes vete për transferimin e Ajetit, i cili do të huazohej për një vit, ku Celticu në fund të edicionit 2020/21 do të detyrohej të blinte kartonin e tij për dhjetë milionë euro dëmshpërblim. Megjithatë, situata ka ndryshuar në momentet e fundit për shkak se Ajeti është i bindur se nëse pret edhe pak mund të sigurojë një kontratë më të mirë te ndonjë ekip tjetër. Ajeti tashmë është kthyer në Zvicër te familja dhe po i pret ofertat e tjera.

“Ajeti ishte duke shkuar te Celticu, por lojtari në momentet e fundit ka ndryshuar mendje. Ai aktualisht ndodhet në Zvicër. Financiarisht, ai mendon se mund ta sigurojë një kontratë më të mirë diku tjetër. Marrëveshja me Celticun ishte arritur, por ai u tërhoq në fund dhe në klub janë të zemëruar me veprimin e tij për shkak se nuk llogarisin në të për sezonin e ri”, ka thënë një burim brenda skuadrës nga Premier League.