Sport

Telashe me formë e hapësirë për shumë futbollistë shqiptarë në Evropë

Albian Ajeti (24) nuk është ftuar te Zvicra që nga shtatori i vitit të kaluar. Synim i Ajetit mund të jetë paraqitja në Evropianin që mbahet me verë, por me formën aktuale kjo vështirë se mund të ndodhë.

Sulmuesi kosovar është pjesë e skuadrës së njohur skoceze, Celtic. Te Celticu kishte kaluar si përforcim i madh në gusht të vitit të kaluar. Ishte transferuar nga West Hami për 4,5 milionë funte. Kishte nisur mirë, por ka kohë që po përballet me formë të zbehtë. Në Premiership të Skocisë ka shënuar gjashtë gola në 20 paraqitje. Në pesë prej tetë ndeshjeve të fundit nuk është aktivizuar fare. Në fundjavë luajti 23 minuta ndaj Livingstonit, por pa lënë gjurmë.

Dhe te Celticu po rriten zërat për të hequr dorë menjëherë nga Ajeti. Pesë gola të tij ishin shënuar në gusht e shtator të vitit të kaluar. Më nuk realizoi deri në fillim të shkurtit. Dhe prej 2 shkurtit nuk ka gol tjetër.

Mediat në Skoci kanë shkruar se West Hami kishte hequr dorë nga Ajeti, ndonëse ishte dashur të pranojë humbje prej 44 për qind. Ai ishte transferuar te West Hami nga Baseli për tetë milionë funte, në verën e vitit 2019. Por nuk ia doli të dëshmojë vlera dhe David Moyes bindi klubin që të heqë dorë prej Ajetit.

Ish-sulmuesi i Celticut dhe Skocisë, Frank McAvennie ka kritikuar ashpër paraqitjen e Ajetit në fundjavë.

“Unë jam sulmues dhe i shikoj sulmuesit. E shikoj Ajetin dhe për mua nuk bën. Ai thjesht nuk është i mirë mjaftueshëm. Ai ka pasur kohë të mjaftueshme dhe unë kur e shikoj Ajetin, mendoj: ke ardhur për shumë para, të paktën vrapo, vepro diçka. Ai madje nuk përfshihet në ndërtimin e aksioneve. Ai duhet të largohet. Celticu duhet të pranojë edhe gjysmën e shumës që e ka paguar për transferimin e tij”, ka thënë McAvennie.

Lista e lojtarëve shqiptarë në kampionate të respektuara evropiane e që po kalojnë formë të zbehtë, është shumë e gjatë. Madje aktualisht ka më shumë lojtarë që po kalojnë formë të zbehtë se të tillë me formë të mirë.

Shumë prej lojtarëve kanë rënie në formë në krahasim me edicionet e kaluara. Disa po vuajnë edhe për hapësirë, ndërsa disa edhe pse po luajnë nuk po e kanë kontributin e pritur.

Sulmuesi Kemal Ademi kishte kaluar me synime të mëdha në Turqi, te gjiganti Fenerbahçe. Edicionin e kaluar ai kishte realizuar 13 gola në Superligën e Zvicrës për Baselin. Por te Fenerbahçe “nuk ndezi”. Nuk realizoi asnjë gol në 7 paraqitje. Për pjesën e dytë të edicionit u huazua te Karagumruk, skuadër dukshëm më e vogël e kampionatit turk. Luajti gjashtë ndeshje dhe vazhdoi me shterpësi. Ademi 25-vjeçar, në katër ndeshjet e fundit nuk është grumbulluar fare me skuadër.

Kalimi në Turqi nuk doli të jetë i suksesshëm edhe për reprezentuesin e Kosovës, Elbasan Rashani. Ai është transferuar te Erzurumi në fillim të vitit. Ka luajtur gjashtë ndeshje deri më tani, por pa ia dalë të shënoi gol. Në pesë prej gjashtë ndeshjeve të fundit nuk është aktivizuar fare.

Sulmuesi i Kosovës, Atdhe Nuhiu, ka filluar të luajë nga pak te APOEL-i në Qipro. Në fundjavë “fitoi” 24 minuta ndaj Paralimnit. Në katër ndeshjet e kaluara nuk luajti fare, ndërsa më 15 mars iu ofruan tre minuta. Në 20 ndeshje në elitën qipriote nuk ka realizuar asnjë gol. Është pritur shpërthimi i Nuhiut në Qipro, por përvoja në këtë vend mund të përshkruhet si dështim.

Me përvoja të pasuksesshme është kalitur Donis Avdijaj, që po ashtu aktualisht është në Qipro. Te AEL Limassol ai ka luajtur shtatë ndeshje dhe nuk ka realizuar. Pasi është ndëshkuar me të kuq më 13 mars, Avdijaj nuk ka qenë fare pjesë e skuadrës në katër ndeshjet e fundit. Është e gjatë lista e skuadrave ku ka luajtur Avdijaj dhe nuk ka bindur.

Sulmuesi i Malit të Zi, Fatos Beqiraj, u kthye në fillim të vitit në Izrael me shpresë për të realizuar gola. Por nuk ia doli deri më tani. Ka tetë paraqitje për skuadrën Bnei Yehuda. Nuk kishte shënuar asnjë gol edhe te Wisla në Poloni, prej nga u huazua në Izrael.

“Pas huazimit do të kthehem në Poloni e më pas do të shohim. Motiv kam shumë e po ashtu përvojë”, ka thënë Beqiraj ditë më parë për mediat kroate. Ai ka luajtur më parë për Dinamon e Zagrebit. Por niveli i tij ishte dukshëm më i lartë.

Në pritje të golit të parë në Izrael është edhe reprezentuesi i Kosovës, Florent Hasani. Ai ka shtatë paraqitje për skuadrën Hapoel Kfar Saba.

Një tjetër lojtar që lëvizi në janar po përballet me rënie të madhe në karrierë. Ish-kampioni i Botës me Gjermaninë, Shkodran Mustafi është ndarë me Arsenalin dhe ka kaluar te Schalke që do të largohet nga Bundesliga. Ai ka luajtur shtatë ndeshje në Bundesligë, por në klub kanë mbetur të dëshpëruar me përkushtimin e Mustafit. Në fillim të prillit u la në stol ndaj Bayer Leverkusenit, ndërsa të dielën luajti vetëm 13 minuta në fitoren 1:0 ndaj Augsburgut. Një tjetër rënie e madhe në karrierë me gjasë është e rezervuar për verë për 28-vjeçarin.

Ndryshimi i skuadrës brenda Gjermanisë doli i dështuar për Leon Dajakun. Futbollisti 20-vjeçar i Bayernit u huazua te Union Berlini. Por ka luajtur vetëm dy ndeshje. Nuk ka luajtur nga janari. Ai së fundi ka pësuar një lëndim dhe pritet të mungoi për disa javë. Por edhe para lëndimit nuk bëri shumë te Union Berlini.

Ndërkohë, prej lojtarëve të Kosovës më shumë është pritur nga Vedat Muriqi, Milot Rashica, Bersant Celina, Lirim Kastrati e disa të tjerë. Prej portierëve, Samir Ujkani nuk ishte as zgjidhja e dytë te Torino në fundjavë, në mungesë të portierit të parë. Ndërkohë, Betim Halimi nuk po i ndahet stolit në pesë ndeshjet e fundit te Olimpik Dontesku në Ukrainë.

Kosova nuk ka ndeshje zyrtare deri në shtator. Shpresat e tifozëve të saj janë që edicioni i ardhshëm për “Dardanët” të jetë dukshëm më i suksesshëm se edicioni aktual.