Sport

West Hami e Fiorentina synojnë t’i japin fund pritjes së gjatë për trofe evropian

West Ham Unitedi dhe Fiorentina nuk kanë fituar trofe evropian për më shumë se 50 vjet. Kjo pritje e gjatë do të marrë fund për njërin prej klubeve në finalen e Ligës së Konferencës, të mërkurën prej orës 21:00 në Pragë.

Liga e Konferencës është niveli i tretë i garave të UEFA-s për klube futbolli. Por për dy skuadrat finaliste, Fiorentinën e West Hamin, është si finale e Kampionatit Botëror.

West Hami fitoi trofeun e vetëm evropian në vitin 1965, Kupën e Fituesve të Kupave. Alan Sealey shënoi dy gola për të mundur ekipin gjerman Munich 1860 me rezultatin 2:0 në stadiumin “Wembley” në Londër. West Hami arriti në finale të kësaj gare në vitin 1976, por dështoi të triumfonte. Kështu që ndeshja e së mërkurës do të jetë finalja e tretë evropiane për ekipin anglez.

Sulmuesi Jarrod Bowen, që shënoi katër gola gjatë rrugëtimit për në finale, me padurim pret të përballet me Fiorentinën.

“Kjo finale është një mundësi e madhe për ta fituar një trofe që i mungon klubit për një periudhë shumë të gjatë. Është një moment i veçantë dhe të gjithë jemi të motivuar për ta fituar këtë finale. Sigurisht që nuk do të jetë lehtë, por do të jap gjithçka nga vetja për ta ndihmuar ekipin. Kjo do të jetë ndeshja më e madhe e karrierës sime”, është shprehur Bowen.

Optimizimin për triumf në Ligën e Konferencës e ka shprehur edhe trajneri i West Hamit, David Moyes. Ai ka thënë se lojtarët kanë një mundësi për t’u futur në historinë e klubit dhe për këtë arsye do të bëjnë të pamundurën që të kthehen në Londër me trofe.

“Duhet të dëshmojmë se kemi merituar të arrijmë deri këtu dhe për ta dëshmuar forcën tonë duhet ta fitojmë këtë finale. Kemi një ekip të mirë dhe duam të mbahemi mend përgjithmonë në klub për suksesin e arritur në Ligën e Konferencës”, tha Moyes.

Edhe Fiorentina ka vetëm një trofe evropian në histori. Trofeu i vetëm kontinental i Fiorentinës ishte gjithashtu Kupa e Fituesve të Kupave. Në vitin 1961 skuadra italiane mposhti Rangersin në finalen e luajtur me dy ndeshje, me rezultatin e përgjithshëm 2:1.

Fiorentina është bërë klubi i parë që paraqitet në finale në katër gara kontinentale. Fiorentina u mund nga Real Madridi për Kupën Evropiane të vitit 1957 (tani Liga e Kampionëve) dhe nga Juventusi në finalen e Kupës së UEFA-s në vitin 1990. Nuk arriti të fitonte Kupën e Fituesve të Kupave në vitin 1962, kur u mposht nga Atletico Madridi.

Fiorentina ka pasur rrugëtim të mirë këtë edicion. Luajti në finalen e Kupës së Italisë dy javë më parë dhe u mposht 2:1 nga Interi. Ishte humbja e vetme për klubin me bazë në Firence në gjashtë ndeshjet e fundit. Përgatitja e fundit për finalen e Ligës së Konferencës ishte fitorja ndaj Sassuolos, 3:1, të premten e kaluar, në xhiron e fundit të Serie A.

“Kemi një ndeshje të madhe para vetes dhe synimi është që ta fitojmë trofeun në Pragë. Do të jetë një finale e vështirë, pasi edhe West Hami ka treguar paraqitje të mira këtë edicion. Mirëpo kam besim në ekipin tim pasi jemi përgatitur mirë dhe duam ta fitojmë këtë trofe evropian për t’ia kthyer dinjitetin klubit tonë në Evropë”, është shprehur trajneri i Fiorentinës, Vincenzo Italiano.

Triumfi në finalen e Ligës së Konferencës është i rëndësishëm për të dyja skuadrat. Cilado që fiton do të kualifikohet automatikisht në Ligën e Evropës për edicionin e ri. West Hami e Fiorentina nuk kanë siguruar daljen në Evropë nëpërmjet ligave ku luajnë.

Fiorentina ka përfunduar e teta në Serie A, ndërsa West Hami i 14-ti në Premier League. Pasi arriti deri në gjysmëfinale të Ligës së Evropës një vit më parë, West Hami këtë edicion marshoi deri në finale si skuadra e vetme e pamposhtur në Ligën e Konferencës. West Hami fitoi 13 ndeshje, përfshirë edhe ato kualifikuese.

Fiorentina ka pasur sulmin më të mirë në garë, duke realizuar 36 gola në 16 ndeshje të luajtura deri në finale.

Ndeshja në “Eden Arena” të Pragës do të jetë e veçantë për tre lojtarët çekë: Tomas Soucek e Vladimir Coufal të West Hamit, si dhe Antonin Barak të Fiorentinës. Të tre luajtën për Slavian e Pragës në këtë stadium përpara se të transferoheshin jashtë vendit.

Praga do të hapë zona tifozësh me ekrane të mëdha për çdo ekip në qendër të qytetit. Po ashtu qyteti do të strehojë tifozë që do të udhëtojnë për në Republikën Çeke dhe nuk kanë bileta.

Ky është edicioni i dytë i Ligës së Konferencës. Në edicionin e parë triumfoi skuadra e Romës. Roma e udhëhequr nga Jose Mourinho mposhti Feyenoordin në finalen e zhvilluar në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.