Aston Villa i ka dhënë fund pritjes 44-vjeçare për trofe evropian.
Skuadra e Premier Leagues angleze të mërkurën mbrëma e dominoi finalen e zhvilluar në stadiumin e Beshiktashit në Stamboll ndaj Freiburgut dhe e fitoi trofeun e Ligës së Evropës. Villa triumfoi me rezultatin 3:0, duke mos rrezikuar për asnjë moment.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoYouri Tielemans dhe Emiliano Buendia realizuan gola të vonshëm në pjesën e parë, përkatësisht në minutën e 41-të dhe të tretë të kohës shtesë. Villa në minutën e 58-të shënoi tjetër gol për fitoren e madhe. Shënues i golit për 3:0 ishte sulmuesi Morgan Rogers.
“Ndihem jashtëzakonisht mirë. Kemi bërë paraqitje të nivelit më të lartë dhe kishim sezon të shkëlqyer. Me këtë trofe, gjithçka është e shkëlqyer. Ka qenë një sezon me shumë ulje e ngritje, por në fund i kthyem gjërat për të mirë. Për këtë duhet përgëzuar lojtarët dhe stafin. Kemi punuar dhe kemi besuar. Fituam në fund, një trofe dhe Liga e Kampionëve për sezonin tjetër”, ka deklaruar pas ndeshjes Tielemans që realizoi gol shumë të bukur.
Villa në vitin 1982 e fitoi Kupën Evropiane dhe pas 44 vjetësh e përsëriti suksesin në Evropë. Ndërkohë, për këtë skuadër, ishte trofeu i parë madhor pas 30 vjetësh, kur e fitoi Kupën e Ligës në Angli.
Sukses historik të mërkurën mbrëma në Stamboll arriti edhe trajneri i Aston Villas, Unai Emery. Për teknikun spanjoll ishte trofeu i pestë i arritur në këtë garë.
Emery Ligën e Evropës e kishte fituar tri herë rresht me Sevillan, në edicionet 2013/14, 2014/15 dhe 2015/16. Më pas në edicionin 2020/21 e fitoi Ligën e Evropës edhe me Villarrealin.
Emery në nëntor të vitit 2022 e zëvendësoi Steven Gerrardin te Villa që i kishte vetëm tri pikë më shumë se zona e rrezikshme, dhe e ktheu skuadrën në njërën prej pesë skuadrave kryesore në Angli. Tani e udhëhoqi ekipin drejt një trofeu evropian. Aston Villa dhjetë vjet më parë ra nga Premier League për herën e parë në histori. Por, tani është krejtësisht skuadër tjetër me trajnerin Unai Emery, që e fitoi një titull evropian dhe e siguroi kualifikimin e dytë në Ligën e Kampionëve brenda tri sezonesh.
54-vjeçari Emery i suksesshëm ishte edhe te Paris Saint-Germaini, me të cilën e fitoi një titull në kampionatin elitar francez, dy Kupa të Francës, dy Kupa të Ligës së Francës dhe dy Superkupa të Francës.
GOLAT
Aston Villa në epërsi të madhe pas pjesës së parë
Aston Villa e ka mbyllur pjesën e parë të finales së Ligës së Evropës ndaj Freiburgut me epërsi prej dy golave.
Të dy golat i shënoi në fund të pjesës së parë.
Youri Tielemans dhe Emiliano Buendia i shënuan golat në minutën e 41-të dhe të katërt shtesë të pjesës së parë.
Për Aston Villan triumfi të mërkurën mbrëma në Stamboll, do të ishte i pari në një kupë evropiane prej vitit 1982.
Golat
25 minuta lojë, ende pa gola
Kanë kaluar 25 minuta lojë në stadiumin e Beshiktashit në finalen e Ligës së Evropës mes Freiburgut dhe Aston Villas.
Rezultati është ende 0:0.
Morgan Rodgers për Aston Villan dhe Nicolas Hofler i Freiburgut patën mundësi të mira shënimi.
Publikohen formacionet e finales së Ligës së Evropës
Freiburgu dhe Aston Villa do të përballen me njëra-tjetrën në finalen e Ligës së Evropës nga ora 21:00. Finalja luhet në stadiumin e Beshiktashit në Stamboll.
Dhe tashmë janë publikuar formacionet e të dyja skuadrave.
Formacioni i Freiburgut:
Atubolu, Kubler, Ginter, Lienhart, Treu, Eggestein, Hofler, Beste, Manzambi, Grifo, Matanoviq
Formacioni i Aston Villas:
Martinez, Cash, Konsa, Lindelof, Pau Torres, Digne, McGinn, Rogers, Tielemans, Buendia, Watkins
Aston Villa vlerësohet favorite për të triumfuar. Ndërkohë, trajneri i kësaj skuadre, Unai Emery, e synon trofeun e pestë të kësaj gare.
Finalja e fundit e Kupës së UEFA-s apo Ligës së Evropës ndërmjet një skuadre gjermane dhe angleze, ka qenë ajo e edicionit 1972/73.
Liverpooli e kishte mposhtur Borussia Monchengladbachun 3:2 me rezultatin e përgjithshëm pas dy ndeshjeve.
