Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Werneri i Leipzigut nuk është penduar për lëvizjen në Chelsea

Sulmuesi i skuadrës së Leipzigut, Timo Werner, insistoi të mërkurën se nuk është aspak i penduar për vendimin e tij që të transferohet te Chelsea dhe jo të gjiganti i Gjermanisë, Bayern Munichu. Duke folur përpara ndeshjes në shtëpi të Leipzigut me Bayernin, kryesues të Bundesligës të premten mbrëma, Werner – i cili fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2021 me Chelsean – tha se ndihet krenar më lëvizjen që e bëri nga futbolli gjerman në Premier League.

“Unë mendoj se rruga që e ndiqni është gjithmonë ajo e duhura në fund”, u shpreh Werner.

Werner u transferua te Chelsea në vitin 2020 për një tarifë të raportuar prej 53 milionë eurosh si një nga sulmuesit më perspektivë të Evropës, pasi kishte shënuar 34 herë dhe kishte bërë 13 asistime në 45 ndeshje zyrtare me fanellën e Leipzigut gjatë sezonit 2019/20. Werner kishte zgjedhur Chelsean përpara Bayernit, por kaloi dy sezone të dobëta në Londër përpara se të kthehej në Leipzig në gushtin e vitit të kaluar.

“Deri më tani do të kisha pasur dy trajnerë në Bayern që do të ishin shumë të mirë për mua: Hansi Flick, me të cilin shkoj mirë dhe Julian Nagelsmannin, ish-trajneri im në Leipzig. Por unë mendoj se është një ide më e mirë të mos pendohesh dhe për këtë arsye aspak nuk jam penduar që zgjodha Chelsean para Bayernit”, është shprehur Werner.

Werner shënoi vetëm dhjetë herë në 56 paraqitje në ligë me fanellën e Chelseat dhe u ul në stol për pjesën më të madhe të sezonit të tij të dytë nga trajneri i atëhershëm i ekipit londinez, Thomas Tuchel.

Edhe Werner nuk largohet nga Leipzigu Sport Werner nuk largohet nga Leipzigu

“Unë nuk isha më pjesë e planit të trajnerit. Duhet ta pranosh këtë dhe të gjesh një mënyrë për t'u marrë me të. Kështu që, unë vendosa të kthehem te Leipzigu dhe jam shumë i lumtur që tani po luaj në ekipin ku bëra emër”, ka shtuar Werner.

Werner tha se do të këshillonte shokun e skuadrës së Leipzigut, francezin Christopher Nkunku - golashënuesi më i mirë i Bundesligës këtë sezon me 12 gola në 15 ndeshje - mbi kurthet e mundshme që ai mund të përballet në Chelsea nëse ai do të transferohej atje, siç përflitet gjerësisht në fund të sezonit.

Në fakt, është raportuar se Chelsea tashmë ka arritur marrëveshje me Leipzigun për transferimin e sulmuesit të krahut në fund të këtij sezoni.

“Unë mund t'i tregoj atij si për përvojat pozitive ashtu edhe ato negative, nëse ai bën ndryshimin. Në një klub si Chelsea, ju nuk luani si në Leipzig sepse ka më shumë konkurrencë. Kjo është jo vetëm në një nivel sportiv, por edhe në një nivel tjetër mendërisht”, pranoi Werner.

Werner, i cili humbi Kupën e Botës për shkak të një këputjeje të ligamentit, tha se ishte “gati të kthehej në fushë kundër Bayernit” të premten. Werner luajti për herë të parë që nga 2 nëntori i vitit të shkuar në një fitore miqësore 4:0 ndaj skuadrës çeke Mlada Boleslav të shtunën e kaluar.

“Ishte e rëndësishme për mua të luaja edhe një herë pas lëndimit, edhe nëse nuk isha 100 për qind i gatshëm dhe mund ta ndieja pak këmbën time pas një mungese kaq të gjatë”, u shpreh ai.

Werner tha se Leipzigu - i cili është i treti në tabelë me gjashtë pikë larg Bayernit – është “në një pozicion të barabartë për sa i përket cilësisë” me liderin e Bundesligës.

Edhe Leipzigu e largon Wernerin Sport Leipzigu e largon Wernerin

“Ne mund të bëjmë shumë më tepër dhe sigurisht se synimi është ta rifillojmë kampionatin me një fitore të rëndësishme kundër Bayernit. Nuk do të jetë lehtë, por besoj se jemi gati ta dëshmojmë veten si një ekip i fortë”, insistoi Werner.

Dueli mes Leipzigut dhe Bayernit do të luhet në stadiumin “Red Bull Arena” nga ora 20:30.