I biri i legjendës së futbollit Fadil Vokrri, Gramozi, i ka deponuar 16 nënshkrimet e mbledhura nga klubet për të kandiduar për postin e kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës. Përkrahje për t’i hyrë garës për të parin e FFK-së atij i kanë dhënë Prishtina, Drita, Drenica, Malisheva, Trepça ’89, Ramiz Sadiku, Vllaznia, Vitia, Kika dhe Ulpiana. Po ashtu mbështetjen e ka marrë edhe Lidhja Rajonale e Gjilanit dhe ajo e Gjakovës. Vokrri pas deponimit të nënshkrimeve të mërkurën ka thënë se ka besim të plotë se do ta fitojë garën përballë kundërkandidatit, kryetarit aktual të FFK-së, Agim Ademi. Zgjedhjet për kryetar të FFK-së do të mbahen më 6 prill, ndërsa kundërkandidat i kryetarit aktual, Agim Ademi, është Gramoz Vokrri.
“Arsyeja pse po kandidoj ka qenë mbështetja e klubeve, të cilat nuk janë të kënaqura ma zhvillimet brenda institucionit dhe po kërkojnë një ndryshim, një frymë të re për ta shtyrë së bashku futbollin përpara. Në futboll nuk hyn askush për të humbur dhe shpresoj që gara do të jetë korrekte. Ky është edhe parim i demokracisë dhe mendoj se të gjithë së bashku mund t’ia dalim”, ka thënë Vokrri pas dorëzimit të nënshkrimeve në selinë e FFK-së.
Zgjedhjet për kryetar të FFK-së janë caktuar të mbahen më 6 prill, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e nënshkrimeve është të enjten. Vokrri thotë se kuvendi i thirrur është i jashtëligjshëm.
“Unë mendoj që prapë ky kuvend që do të mbahet më 6 prill është i jashtëligjshëm, por në anën tjetër na është thënë t’i dorëzojmë 15 nënshkrime dhe unë kam bërë atë për të qenë të gatshëm për të dyja mundësitë, sepse vazhdoj të mendoj që kuvendi është thirrur në mënyrë të jashtëligjshme”, është shprehur Vokrri.
Ai ka akuzuar se vitet e fundit në FFK më shumë flitet për skandale sesa për punë të bëra.
“Më shumë flitet për skandale në këta katër vjetët e fundit për çka nuk është e hijshme të hyjë andej, por e rëndësishme është ta shtyjmë së bashku futbollin përpara, ta krijojmë një frymë të re që t’ia hapim dyert edhe rinisë sonë që e kemi të mrekullueshme”, ka thënë ai.
Vokrri ka shtuar se për shantazhe ndaj delegatëve të klubeve duhet pyetur drejtuesit e FFK-së.
“Fillimisht nuk ka pasur mbledhje të komitetit ekzekutiv, pasi disa anëtarë nuk janë këtu, nuk janë prezentë në Kosovë dhe nuk e di si ka mundur të mblidhet ai komitet. E përcolla me vëmendje rastin e Ulpianës ku vetë ushtruesi i presidentit është delegat vetë. Shantazhi këtu është bërë, por duhet të kërkohet faji në anën e kundërt”, është shprehur Vokrri.
Ai me vete kishte edhe një planprogram për mandatin 2022-2026, të cilin thotë se do ta shpalosë edhe në Kuvend.
“Besoj se duhet të ketë riformatim të skautimit të lojtarëve në diasporë, investimi në kuadro të reja në federatë, punësimi me kompetenca dhe futbolli i femrave që është prioritet për ne”, ka thënë Vokrri.
Pas Vokrrit para mediave ka dalë edhe ushtruesi i detyrës i sekretarit të FFK-së, Taulant Hodaj. Ai ka përsëritur se Kuvendi është thirrur në pajtim të Statutit të FFK-së.
“Kryetari aktual përgjigjet për veten e tij, por po them se mbarëvajtja e Kuvendit është në përputhje me të. U kam bërë thirrje si ushtrues i detyrës së sekretarit që secili që ka pasur pretendime ose kush ka që Kuvendi nuk është legjitim t’u drejtohen organeve përkatëse jo mediave. T’u drejtohen organeve përkatëse dhe me kënaqësi do të më kenë përballë sepse ju e dini me profesion jam avokat dhe këshilltar ligjor i federatës kështu që do të shkoj në secilin forum që ata mendojnë është adekuat dhe të sfidojnë punën e thirrjes së kuvendit. Unë do të jem aty dhe jo që e them, por është e bazuar konform me rregullativën, statutin, ligjin dhe rregulloren”, ka thënë Hodaj.
Hodaj ka shtuar se KE e FFK-së ka formuar një komision të përkohshëm që do t’i shqyrtoj të gjitha kandidaturat.
“Komiteti Ekzekutiv ka formuar një komision të përkohshëm të posaçëm, konform Statutit për mbarëvajtjen e Kuvendit ku aty do të shikohet i gjithë dokumentacioni përkatës, kushtet nëse janë plotësuar apo jo dhe do të informohen të gjithë kandidatët që kanë kandiduar me kohë komfor statutit dhe rregullores”, ka thënë Hodaj duke insistuar se KE e FFK-së i është përmbajtur Statutit të FFK-së për thirrjen e Kuvendit më 6 prill.
“Të gjithë e kanë ditur se është vit zgjedhor, pasi i skadon mandati kryetarit aktual në fund të qershorit dhe konform Statutit dhe Rregullores së FFK-së është dashur në afatin optimal të zgjedhë kryetarin, të mos ketë vakum ligjor për arsye se aq shumë ka aktivitete në muajin maj dhe qershor kështu që KE ka vendosur afatin në përputhje me statutin të thërrasë në këtë kuvend në këtë kohë në mënyrë që të zgjidhet organi përfaqësues më i lartë i Federatës së Futbollit të Kosovës që është kryetari, të zgjidhet në kohën më përpara që i skadon që është gjithnjë në përputhje me Statutin dhe rregull normale dhe logjike, sepse çdo institucion e zgjedh organin, përfaqësuesin në kohë të caktuar në mënyrë që të mos krijojë vakum. Sipas meje, gjithkush kush e len një organ pa pozitë tregohet që nuk ka punuar me kohë se është i papërgjegjshëm”, ka thënë Hodaj.