Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Vllaznia e Hajvalia luajnë ndeshje vendimtare në Champions

Dy kampionet shqiptare përballen mes tyre në ndeshjen vendimtare të Ligës së Kampionëve për futbolliste. Kampionia e Shqipërisë, Vllaznia, dhe kampionia e Kosovës, EP-COM Hajvalia, do të luajnë të mërkurën prej orës 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.

Shorti përcaktoi që skuadra prishtinase dhe ajo shkodrane të jenë në të njëjtin grup në raundin e parë kualifikues të Championsit. Raundi i parë zhvillohet në formë turneu, ndërsa në secilin turne janë nga katër skuadra. Luhen dy gjysmëfinale dhe finalja. Fituesja e finales, përkatësisht e turneut, avancon në raundin e dytë kualifikues. Pas raundit të dytë kualifikues është faza grupore, ku paraqiten ekipet më të mira evropiane.

Vllaznia e Hajvalia janë në grupin e shtatë. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe Valuri i Islandës dhe Ankara e Turqisë. Valuri e Ankara takohen të mërkurën paradite në “Loro Boriçi”. Finalja është më 9 shtator, po ashtu në Shkodër. Ndërkohë atë ditë zhvillohet edhe një ndeshje formale për vendin e tretë, që nuk ka ndonjë peshë garuese.

Vllaznia llogaritet favorite ndaj Hajvalisë. Ka përvojë dukshëm më të gjatë në Champions, ndërsa vjet arriti sukses historik duke u paraqitur në fazën grupore. Në raundin e parë kualifikues kishte eliminuar kampionin e Sllovakisë e në raundin e dytë kampionin e Ukrainës. Në fazën grupore luajti me gjigantët evropianë: Chelsean, Paris Saint-Germainin dhe Real Madridin. I humbi të gjitha gjashtë ndeshjet. Por për Vllazninë sukses historik ishte paraqitja në fazën grupore të Championsit.

Vllaznia gjatë verës ka angazhuar plot nëntë lojtare të reja. Prej tyre gjashtë janë nga Brazili. Te Vllaznia ka edhe lojtare nga Kosova.

Edhe Hajvalia eliminohet nga Championsi Sport Hajvalia eliminohet nga Championsi

“Jemi përgatitur ashtu si duhet. Hajvalinë e njohim mirë, e vlerësojmë, por natyrisht do të tentojmë ta mundim dhe të shkojmë në finalen e grupit”, ka thënë trajneri i Vllaznisë, Haris Lika.

Përforcime ka bërë edhe Hajvalia, që konkurrenten e vetme deri më tani në Kosovë e ka pasur Mitrovicën. Pikërisht mungesa e konkurrencës në ligën vendore ka penalizuar skuadrat kosovare në garat e Championsit. Te Hajvalia janë përgatitur për turneun e Championsit, me shpresë për paraqitje të suksesshme.