Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

EP-Hajvalia synon ta kalojë rundin e parë të Championsit

Te skuadra e futbollit, EP-Hajvalia besojnë se do ta kalojnë rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve (femrat). Kështu ka insistuar kryetari i klubit, Xhavit Pacolli, pas shortit të tërhequr për edicionin 2023/24, të premten në selinë e UEFA-s në Nyon.

Shorti përcaktoi që EP-Hajvalia të jetë pjesë e Grupit 7 të raundit të parë kualifikues. Ndeshjet e rundit të parë kualifikues do të luhen në formë turneu dhe sistem eliminimi. Pjesë e këtij grupi janë edhe Vllaznia e Shkodrës, Valuri i Islandës dhe Ankara Buyukshehir nga Turqia.

Në gjysmëfinale, kampionia e Kosovës do të përballet me kampionen e Shqipërisë. Dhe nëse e fiton këtë ndeshje, atëherë në finale do të luajë kundër fituesit të duelit tjetër gjysmëfinale, Valur - Ankara.

“Shorti nuk është aspak i lehtë, pasi të gjitha ekipet kanë më shumë përvojë se ekipi ynë në garat ndërkombëtare. Por besoj se do të jemi gati që këtë herë të bëjmë diçka më shumë”, ka thënë Pacolli për KOHËN.

Ndeshjen kundër Vllaznisë, EP-Hajvalia do ta zhvillojë më 6 shtator, ndërsa tri ditë më vonë do të zhvillohet edhe finalja e turneut dhe ndeshja për vend të tretë. Ende nuk është përcaktuar se ku do të luhen ndeshjet.

Edhe Vllaznia e Hajvalia luajnë ndeshje vendimtare në Champions Sport Vllaznia e Hajvalia luajnë ndeshje vendimtare në Champions

Vllaznia e Shkodrës edicionin e kaluar ka luajtur në fazën e grupeve të Championsit. Pra ka arritur sukses goxha të madh.

Në rast se e kalon rundin e parë, atëherë Hajvalia do të kualifikohet në rundin e dytë dhe do të jetë vetëm dy ndeshje larg kualifikimit në fazën e grupeve.

Edhe pse shortin nuk e ka vlerësuar aspak të lehtë, Pacolli beson në avancimin nga rundi i parë. Insiston se ekipi tashmë ka krijuar përvojë, duke pasur parasysh se edhe edicionin e kaluar u paraqit në këtë fazë të Championsit. Ishte eliminuar në rundin e parë.

EP-Hajvalia është shpallur kampione e Kosovës në dy edicionet e fundit dhe stërvitjet pritet t’i nisë javën tjetër.

“Ndeshjen e parë e luajmë me Vllazninë, ekip që e njohim mirë dhe që është i fortë. Megjithatë, unë besoj se këtë herë do të bëjmë një hap më shumë pasi duam të avancojmë në rundin e dytë dhe të tentojmë kualifikimin në fazën e grupeve, që nuk do të jetë lehtë”, ka thënë Pacolli. “Do të bëjmë të pamundurën për një gjë të tillë, pasi mendoj se është momenti i fundit që të tregojmë forcën tonë edhe në arenën ndërkombëtare”.

Kryetari i EP-Hajvalisë ka thënë se tashmë po punon për ta forcuar ekipin me lojtare të huaja, ndërsa nuk ka përjashtuar mundësinë që të angazhoj edhe trajner të huaj për të arritur synimin.

“Ne tashmë jemi ne negociata me shumë lojtare të huaja që kanë përvojë, pasi duam të ndërtojmë një ekip të fortë për Evropë. Nuk do të kursejmë asgjë për shkak se kërkojmë suksesin. Po ashtu gjasat janë të mëdha që të angazhojmë edhe një trajner të huaj. Do të kompletohemi dhe përgatitemi mirë, pasi javën tjetër do të fillojmë me stërvitje”, u shpreh Pacolli.

Edhe EP-Hajvalia kundër Vllaznisë në “Champions” Sport EP-Hajvalia kundër Vllaznisë në “Champions”

Aktualisht skuadra kampione është pa trajner.

Para EP-Hajvalisë në Champions është paraqitur KFF Mitrovica, që ka luajtur katër edicione rresht (2018-2022) dhe vetëm në një rast ka arritur ta kalojë fazën e parë. Në fakt, ekipi i parë i femrave nga Kosova që është paraqitur në Ligën e Kampionëve është një tjetër nga Hajvalia që tashmë nuk ekziston.