Mbrojtësi Edvin Kurtulush tashmë edhe zyrtarisht është pjesë e përfaqësueses A të Suedisë në futboll. Kurtulush ishte kapiten i Kosovës U21 dhe u ftua nga Kosova A për ndeshjet e qershorit.
Por në lojë hyri Suedia, që i bëri ftesë në përfaqësuesen A, pasi u përball me rrezikun që ta humb një lojtar të talentuar të lindur e të rritur në Suedi. Kurtulush po luan me sukses për Hammarbyn në elitën suedeze. Për të pritej leja e FIFA-s, që të bashkohet me Suedinë. Dhe ajo erdhi të hënën mbrëma.
“Të hënën pasdite lajmi i mirë erdhi nga FIFA. Ndërrimi i përfaqësueses për mbrojtësin e Hammarbyt, Edvin Kurtulush, është aprovuar. Dhe ai do t’i bashkohet skuadrës në orët e mbrëmjes”, ka njoftuar Federata e Futbollit e Suedisë. Suedisë i mungojnë dy lojtarë për ndeshjet e qershorit. Dhe Kurtulush është emër i ri.