Sulmuesi Olivier Giroud shpreson të thyejë rekordin e Thierry Henryt dhe të bëhet golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave te Franca. Ai e synon rekordin në Kupën e Botës, teksa futet në turneun në Katar pas një forme të mirë që e ka treguar këtë edicion te skuadra e Milanit.
Giroud mbushi 36 vjet në shtator dhe nuk kishte qenë i rregullt nëpër ekipet e fundit të Francës. Por nëntë gola këtë sezon për kampionin e Serie A e bindën përzgjedhësin Didier Deschamps që ta ftonte veteranin në Katar. Është Kupa e Botës e tretë për Giroudin. Ndërsa pritet të aktivizohet kryesisht nga banka e rezervistëve, Giroud mund të ketë ende rol kyç, pas dyshimeve rreth aftësisë fizike të Karim Benzemas.
“Për mua është një lloj bekimi të kem mundësinë për të luajtur për vendin tim në një Botëror të tretë. Unë dua të shijoj çdo moment të këtij turne të madh”, tha Giroud përpara se Franca të stërvitej në stadiumin e kampionit të Katarit, Al Sadd, në Doha.
“Sigurisht që e kam në kokë këtë objektiv për të mposhtur ‘Titin’ (Henry), por kryesorja është që si ekip të shkojmë sa më larg në turne”.
Giroud - i cili gjithashtu ka luajtur në tri kampionate evropiane - u bë golashënuesi më i vjetër i Francës në muajin shtator, kur ai shënoi golin e 49-të për përfaqësuese në një ndeshje të Ligës së Kombeve kundër Austrisë. Ish-sulmuesi i Arsenalit dhe Chelseat, i cili ka 114 paraqitje me Francën, tani është vetëm dy gola larg barazimit të rekordit të fituesit të Kupës së Botës 1998, Henryt. Ikona Henry ka 51 gola për “Les Bleus”.
Pavarësisht moshës, Giroudit iu tha se mund të ishte në formën jetësore këtë edicion dhe disa prej golave të fundit në mënyrë akrobatike kanë bërë që të krahasohet me Zlatan Ibrahimoviqin.
“Nuk e di nëse jam në formën më të mirë të karrierës, por nëse i shikoni disa prej golave që i kam shënuar më përpara mund të them se janë të ngjashëm me të Zlatanit. Mua më pëlqen të shënoj gola në mënyrë akrobatike”, shtoi Giroud. “Por, është e vërtetë që jam në formë të mirë. Ndihem mirë fizikisht dhe jam i kënaqur me lojën time dhe në klubin tim. Në moshën 36-vjeçare është sikurse dhuratë të jesh i rëndësishëm dhe të ndihem mirë. Shpresoj të vazhdoj me këtë formë edhe në Katar”.
Giroud ishte pjesë e Francës në vitin 2018 dhe nuk shënoi asnjë gol në Kupën e Botës në Rusi. Goli i tij i vetëm në Kupën e Botës deri më sot është kundër Zvicrës në Brazil në vitin 2014. Ai mendohet se do të jetë titullar kur Franca të fillojë mbrojtjen e trofeut kundër Australisë në stadiumin “Al Wakrah” të martën e ardhshme, ndërsa Benzema po lufton për të qenë i gatshëm. Sulmuesi i Real Madridit dhe fituesi i “Topit të Artë” po vuan nga një dëmtim në kofshë dhe ka luajtur vetëm 26 minuta në gjashtë ndeshjet e fundit të skuadrës spanjolle.
Përfaqësuesja e Francës tashmë është goditur nga një valë lëndimesh dhe në Katar ka udhëtuar pa Paul Pogban dhe N'Golo Kanten, dyshja titullare e mesfushës në vitin 2018. Sulmuesi i Leipzigut, Christopher Nkunku u tërhoq nga Botërori, pasi pësoi një lëndim në gju të martën në seancën e fundit stërvitore të Francës përpara se të fluturonte për në Katar.
Kjo ka krijuar një ndjenjë ankthi në kampin francez për mundësinë e më shumë lëndimeve që pengojnë mbrojtjen e trofeut.
“Ka gjithmonë një ekspozim ndaj lëndimeve, por ju nuk duhet të mendoni për këtë dhe thjesht duhet të stërviteni normalisht”, tha Giroud.