Dukej si hapi tjetër i natyrshëm dhe lëvizja logjike në rrugëtimin e Steven Gerrardit si trajner, ndonëse kurrë nuk e ka shprehur publikisht.
Pas gati katër vjetëve të suksesshme në një ambient me presion te gjiganti i Skocisë, Rangersi, supozohej se Gerrardi do t’i kalonte disa sezone në krye të Aston Villas për të krijuar mjaft përvojë në Premier League, që të ishte zëvendësuesi i duhur për Juergen Kloppin te Liverpooli. Megjithatë në rrugëtimin e tij që shihej si i planifikuar, tashmë është paraqitur një pengesë e madhe.
Puna e parë e trajnerit në futbollin anglez për Gerrardin nuk zgjati shumë. Ai të enjten mbrëma u shkarkua nga Aston Villa me efekt të menjëhershëm. Ky vendim i klubit anglez ishte i papritur dhe shumë mizor. Një deklaratë prej 41 fjalësh – e përmbledhur me dy fjali - me një citim të zymtë që i atribuohet një “zëdhënësi të klubit”, shënoi fundin për Gerrardin vetëm disa orë pas humbjes 3:0 të Aston Villas në udhëtim te Fulhami. Duke folur për mediat dy orë para ndeshjes, Gerrard ishte zotuar se do të luftonte deri në fund me Aston Villan, tashmë të pozicionuar në vendin e 17-të në tabelë.
“Klubi i futbollit Aston Villa mund të konfirmojë se trajneri Steven Gerrard është larguar nga klubi me efekt të menjëhershëm”, shkruante në njoftim, përpara se të citoheshin fjalët e zëdhënësit. “Dëshirojmë ta falënderojmë Stevenin për punën dhe angazhimin e tij të palodhur dhe i urojmë atij çdo të mirë në të ardhmen”.
Kjo e lë Gerrardin dhe reputacionin e tij si trajner në një pozitë tejet të vështirë. Kritikët janë habitur me vendimin e Aston Villas për ta larguar Gerrardin, i cili erdhi në futbollin anglez me bujë të madhe.
“Si mund ta gjykoni dikë që e udhëheq Rangersin drejt titullin të parë të ligës skoceze në 10 vjet dhe nuk zgjat as një vit në Villa? Kjo më habit shumë”, ka pranuar ish-bashkëlojtari i Gerrardit te Liverpooli, Jamie Carragher.
Villa nuk krijoi kurrë një identitet apo stil të qartë loje nën Gerrardin. Kështu që është e vështirë për klubet e tjera të dinë se çfarë do të ndërmarrin nëse do të insistojnë për angazhimin e tij si trajner në muajt e ardhshëm. Statusi i Gerrardit si një nga lojtarët më të mëdhenj anglezë të gjeneratës së tij, i shoqëruar me suksesin e tij si trajner në Rangers, do të sigurojë që atij të mos i mungojnë ofertat për punë.
Por a mundet ai ta kthejë angazhimin menaxherial në rrugën e duhur mjaft shpejt për ta vënë veten në pozicionin për të qenë trashëgimtari i Kloppit në Liverpool?
Në prill, Klopp e zgjati kontratën edhe për dy vjet të tjera, deri në vitin 2026. Kështu që Gerrard ka ende kohë për të kërkuar punë në Liverpool, ku luajti 710 ndeshje nga viti 1998 deri më 2015, shumë prej tyre si kapiten. Klopp tha të premten se kishte pasur “një bisedë të vogël” me Gerrardin, kurse pret që ai të kthehet si trajner në Premier League.
“Tani shpresoj që ai të marrë pak kohë edhe për veten”, tha Klopp, “sepse qëkur mbaroi karrierën, ai është pothuajse duke punuar gjatë gjithë kohës. Kështu që mbase këtë kohë do ta përdorë tani për t’u rimbushur”.
Jamie Carragher, miku i ngushtë i Gerrarditt, tha se ai “e dinte situatën” në të cilën ndodhej në Villa kur ata folën disa ditë më parë. Mirëpo, ka shtuar se shkarkimi i tij ka ardhur shpejt dhe klubi është dashur të ketë edhe pak besim në Gerrardin.
“Unë me të vërtetë nuk jam i sigurt nëse Stevie do të kthehet menjëherë në menaxhim apo do të presë pak. Do të jetë me të vërtetë interesante pasi ai është person që dëshiron të punojë. Kam besim të madh në punën e tij”, shtoi Carragher.
Kudo që Gerrard përfundon më pas, ai mund të dëshirojë të shmangë të njëjtat çështje që hasi në Villa.
Nënshkrimi kryesor i Gerrardit ishte Philippe Coutinho, lojtari brazilian që ai e njihte mirë nga koha e tyre së bashku te Liverpooli. Për Coutinhon kalimi te Villa ishte një rënie e madhe në status, ndërsa për Gerrardin ishte një bast i madh. Coutinho kishte momentet e tij, por deri më tani nuk është përshtatur në Villa. Coutinho nuk dha asnjë gol apo asistim këtë sezon. Deri në fund të kohës së tij në Villa, Gerrard e kishte kthyer ekipin në një nga më të mërzitshmit për t'u parë në Premier League. Villa shënoi vetëm shtatë gola në 11 ndeshje të ligës këtë sezon. Villa tha të premten se Gerrardi u shkarkua sepse ai nuk arriti objektivin e klubit për “përmirësim të vazhdueshëm”.