Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Gerrardi do ta ndërronte statusin e heroit të Liverpoolit me fitoren e Aston Villas në Anfield

Steven Gerrard pranon se do të ishte i lumtur të hiqte dorë nga statusi i tij i heroit në Liverpool në këmbim të një fitoreje të Aston Villas të shtunën, ndërsa legjenda e Anfieldit përgatitet të kthehet në ish-klubin e tij “me një buzëqeshje në fytyrë”. Gerrard, i cili shijoi një karrierë të jashtëzakonshme 17-vjeçare me fanellën e Liverpoolit, kthehet në stadiumin “Anfield Road” vetëm një muaj pasi u emërua trajner i Aston Villas, me synimin për të fituar. 41-vjeçari, i cili u largua nga Rangersi muajin e kaluar për t’u transferuar në Premier League, ku ka fituar tre nga ndeshjet e tij të para në krye të Aston Villas dhe ka vetëm një humbje, atë nga kampioni në fuqi, Manchester City. Aktualisht, Aston Villa është në pozitën e dhjetë në tabelë me 19 pikë të mbledhura, ndërkohë Liverpooli është i dyti me 34 pikë.

“Po kthehem në një klub ku kam kaluar shumë vite dhe kjo më sjellë një buzëqeshje në fytyrën time për disa arsye”, tha Gerrard, i cili prej kohësh është shpallur si pasardhës i mundshëm i trajnerit të Liverpoolit, Jurgen Klopp. “Unë kam një marrëdhënie të mirë me shumë njerëz në klub. Kam kaluar një kohë fantastike, unë jam një djalë vendas. Ishte skuadra që kam mbështetur duke u rritur dhe do ta bëj gjithmonë. Por në të njëjtën kohë më sjell një buzëqeshje në fytyrën time, sepse kam mundësinë të shkoj atje dhe të luaj kundër një ekipi të mirë dhe një trajneri dhe të përpiqem të fitoj ndeshjen. Ky është fokusi im i vetëm”.

Gerrard beson se do të mirëpritet ngrohtësisht edhe nga tifozët e Liverpoolit, përkundër që po shkon për t’ua mposhtur ekipin e zemrës. Mbi të gjitha, ai ka luajtur 710 ndeshje me fanellën e Liverpoolit prej vitit 1998 deri në vitin 2015, dhe ka qenë kapiten për një periudhë të gjatë.

“Do të jetë shumë vështirë për të fituar, por ky është qëllimi im. Madje, për fitore jam gati të heq dorë edhe nga statusi im i legjendës te Liverpooli. E kemi parasysh se do të përballemi me një ekip shumë të fortë, por do të sulmojmë prej fillimit”, ka insistuar Gerrard.

Në fakt, Gerrardi edhe karrierën e trajnerit e ka filluar te Liverpooli. Nën mbikëqyrjen e trajnerit aktual të Liverpoolit, Juergen Klopp, ai ka punuar me gjeneratat e reja të klubit përpara se ta marrë drejtimin e Rangersit në Skoci. Gerrard ka thënë se gjithmonë është falënderues ndaj Kloppit për mundësinë dhe këshillat që gjermani ia ka dhënë kur nisi me zejen e trajnerit.

“Këshillat më të mira i kam nga ai. Ndërsa, këshilla kryesore që erdhi prej Kloppit ishte kur ai mu drejtua me fjalët që të pavarësohem, të marrë një ekip të parë dhe të punoj sipas mënyrës sime. Ai më tha se do të më përkrah kudo që shkoj dhe falë asaj këshille unë e nisa rrugëtimin tim. Nuk do t’ia harroj kurrë atë këshillë që doli të ishte e artë për rrugëtimin tim si trajner”, tha Gerrard.

Edhe Vështirësohet rruga e Gerrardit për te Liverpooli Sport Vështirësohet rruga e Gerrardit për te Liverpooli

Edhe Klopp ka pranuar se e vlerëson shumë Gerrardin. Madje, trajneri gjerman ka thënë se Aston Villa me Gerrardin në krye po luan shumë më mirë dhe në mënyrë më të organizuar. Në fakt, Klopp tha se e sheh Gerrardin si pasardhës të tij te Liverpooli.

“Po, përfundimisht e shoh Gerrardin në krye të Liverpoolit pasi të largohem. Por, nuk e di se kur do të vijë ai moment. Të presim dhe të shohim. Ai po tregohet si një trajner shumë i mirë dhe do të vijë këtu me Aston Villan për të fituar. Ne besoj se do ta mirëpresim, por gjatë ndeshjes secili ka synimet e veta. Normalisht, ne duam të vazhdojmë me fitore dhe të mbajmë hapin me Cityn”, ka paralajmëruar Klopp. “Në përgjithësi do të jetë një ndeshje e vështirë për të dy ekipet, por më e rëndësishmja është se do të ketë futboll të mirë. Unë jam i lumtur që Gerrardi është kthyer si trajner i pjekur në Premier League dhe do ta mirëpres”.