Nuk do të kalojë shumë kohë përpara se legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard, të kthehet në stadiumin “Anfield Road” si trajner i Premier Leagues. Megjithatë, jo në krye të ekipit të tij të fëmijërisë.
Gerrard u prezantua trajner i Aston Villas të enjten, duke i dhënë fund një periudhe prej tre vjetësh e gjysmë në futbollin skocez, ku transformoi Rangersin, duke i dhënë fund dominimit të gjatë të Celticut.
Do të jetë roli i parë si trajner i 41-vjeçarit në Angli dhe shumë presin që ai një ditë të drejtojë Liverpoolin, skuadër ku luajti 710 ndeshje – shumicën si kapiten - dhe konsiderohet gjerësisht si një nga lojtarët më të mëdhenj të këtij ekipi. Do të jetë shumë e çuditshme kur Gerrard të kthehet në “Anfield Road” në krye të një klubi tjetër.
Aston Villa do të përballet me Liverpoolin më 11 dhjetor, që do të jetë ndeshja e katërt e Gerrardit në krye të ekipit, i cili ka pasur një start të vështirë këtë sezon. Pas 11 xhirove, Aston Villa ka tubuar vetëm dhjetë pikë dhe Gerrard, që firmosi kontratë deri në vitin 2025, në këtë post e zëvendësoi Dean Smithin e shkarkuar.
“Ka qenë shumë e qartë në diskutimet tona me të se ambiciet, filozofia dhe vlerat e Gerrardit përputhen plotësisht me ato të Aston Villas. Ne jemi të emocionuar që ai ka pranuar të na udhëheqë në fazën tjetër të planeve tona ambicioze”, tha shefi ekzekutiv i Villas, Christian Purslow.
Edhe
Vështirësohet rruga e Gerrardit për te Liverpooli
Aston Villa përfundoi në vendin e 11-të në Premier League edicionin e kaluar, por ka pësuar rënie që nga shitja e kapitenit Jack Grealish për një dëmshpërblim rekord në Britani prej 120 milionë eurosh te Manchester City, para fillimit të këtij edicioni. Duke u mbështetur kryesisht në një lojtar në kampanjën e kaluar, Aston Villa këtë edicion është përpjekur të zbatojë një qasje më të zgjeruar me një mori lojtarësh të rinj të blerë duke përdorur paratë e fituara nga transferimi i Grealishit përfshirë Danny Ingsin dhe Leon Baileyn, të cilët aktualisht janë të lënduar. Por kjo e ka lënë ekipin më shumë të hapur.
Aston Villa është ekipi i tretë që ka pranuar më së shumti gola këtë sezon dhe i ka humbur pesë ndeshjet e fundit kampionale për të zbritur në pozitën e 16-të në tabelë.
Gerrard, i cili udhëhoqi Rangersin drejt titullit të Skocisë sezonin e kaluar pa asnjë humbje dhe i dha fund serisë së Celticut prej nëntë titujve rresht, të premten do t’i nisë stërvitjet për ndeshjen e tij debutuese, atë kundër Brightonit, që luhet më 20 nëntor. Gerrard është i njohur për lojën argëtuese të ekipit të tij, me energji të lartë dhe me rezultate të mira. Nën drejtimin e tij, Rangersi sezonin e shkuar e fitoi edhe grupin në Ligën e Evropës, gjë që e ka forcuar reputacionin e Gerrardit si trajner. Ai u largua nga Rangersi, të cilin e la në krye të tabelës me katër pikë më shumë se Celticu.
“Gerrard tashmë e ka dëshmuar veten. Ai mori vendimin e guximshëm në karrierë për ta provuar veten te Rangersi, të cilën e stabilizoi në çdo aspekt”, tha Purslow.
Edhe
Gerrardi do ta ndërronte statusin e heroit të Liverpoolit me fitoren e Aston Villas në Anfield
Gerrard punoi trajner në akademinë e Liverpoolit përpara se të merrte drejtimin e Rangersit në vitin 2018. Ai insistoi se është i gatshëm për aventurën e tij të parë drejtuese në Premier League.
“Aston Villa është një klub me histori dhe traditë të pasur në futbollin anglez dhe jam jashtëzakonisht krenar që do të jem trajner i këtij ekipi. Ne bisedat që kemi pasur i kam kuptuar planet ambicioze të klubit dhe unë jam i gatshëm të ndihmoj për t’i arritur ato”, shtoi Gerrard.