Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shpresat e Liverpoolit për titull varen te Gerrardi

Telefoni i Steven Gerrardit ka qenë i ndezur dhe më i zënë se kurrë përpara finales së Premier Leagues dhe shumë nga telefonatat e mesazhet ka të ngjarë të kenë ardhur nga njerëz të lidhur me ish-klubin e tij. Një nga mesfushorët më të mëdhenj në gjeneratën e tij, Gerrard, nuk arriti kurrë ta fitojë titullin e kampionit me Liverpoolin për 17 vjet si lojtar dhe kapiten skuadre. Ishte keqardhja më e madhe në karrierën e tij, pasi iu ka mohuar gjëja që ai e ka quajtur "qershia mbi tortë".

Të dielën, megjithatë, ai mund ta ndihmojë Liverpoolin në fitimin e titullit të kampionit - si trajner i një ekipi tjetër. Aston Villa e Gerrardit qëndron mes Manchester Cityt dhe një titulli tjetër në ligë, i gjashti në 11 sezone. Gjithçka që duhet të bëjë City është ta fitojë këtë ndeshje që e luan në “Etihad Stadium”. Megjithatë, nëse Gerrard mund të frymëzojë një fitore apo edhe një barazim për Villan, titulli mund t'i shkojë Liverpoolit – me kusht që klubi i tij i fëmijërisë, skuadra që ai do ta mbajë përgjithmonë në zemrën e tij, të mposht Wolverhamptonin në një ndeshje që zhvillohet njëkohësisht në “Anfield Road”. E Gerrardi e kupton plotësisht këtë situatë në të cilën gjendet dhe pranon se nuk është aspak e lehtë.

“Unë e kuptoj plotësisht dhe e respektoj zhurmën e jashtme dhe pyetjet që më vijnë prej disa kohësh”, tha ai. “Ata janë të përfshirë në një garë për titull dhe unë kalova shumë kohë atje”.

Si trajner i Aston Villas, Gerrard insiston se do të mundohet të nxjerrë një rezultat pozitiv ndaj kampionit në fuqi, Cityt. Në fakt, Gerrardi shton se do të mundohet të marrë pikë për Aston Villan dhe jo Liverpoolin.

“Ne do të dalim në fushë dhe do të japim gjithçka që kemi për të provuar të marrim pikë për Aston Villan dhe mbështetësit tanë. Nëse kjo e ndihmon në mënyrë të pashmangshme Liverpoolin, është fantastike, por prioriteti im është të përpiqem të marr pikë për Aston Villan”, u shpreh Gerrard.

Edhe Liga e Kampionëve në “Championship”, është e mundur me Forestin Futboll 3 muaj më parë Liga e Kampionëve në “Championship”, është e mundur me Forestin

Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, tha se ai nuk ka folur me Gerrardin për ndeshjen dhe nuk do ta bëjë këtë para të dielës.

“Stevie do ta marrë duelin me Cityn 100 për qind seriozisht, jam i sigurt, pa e thirrur unë”, tha Klopp. “Nuk kam pse. Ndoshta pjesa tjetër e klubit e ka bërë tashmë, por unë nuk e bëra”.

Klopp tha se ndihma ndaj Liverpoolit për të fituar titullin me sa duket do të ishte një faktor motivues për Gerrardin.

“Unë mund t’i kuptoj këto situata vetëm duke menduar për veten në atë rol”, tha Klopp. “Pra, nëse do të luaja një lojë që do të ndihmonte ish-klubet e mia, Borussia Dortmund ose Mainz, kjo do të më jepte një motivim shtesë. Por unë nuk luaj dhe Stevie nuk luan”.

Gerrardi i ka marrë pyetjet e përsëritura në lidhje me rolin e tij në finalen e ligës të së dielës me humor të mirë, por kishte një aspekt që e acaroi atë. Villa u përball me Liverpoolin javën e kaluar, duke humbur 2:1 në shtëpi. Rezultati mbajti gjallë shpresat e Liverpoolit për titull dhe pati sugjerime se Gerrardi ishte i lumtur që i bëri nder klubit të tij të vjetër.

“Është zhgënjyese kur njerëzit përmendin integritetin dhe këtë e bëjnë ndaj meje ose Aston Villas apo ndonjërit prej lojtarëve të mi”, shtoi ai.

Gerrardi nuk do të jetë i vetmi anëtar i kontingjentit udhëtues të Villas këtë fundjavë që ka lidhje me Liverpoolin. Philippe Coutinho dhe Danny Ings janë ish-lojtarë të Liverpoolit dhe ata ka të ngjarë të aktivizohen kundër Cityt pasi nuk luajtën në barazimin e Villas 1:1 ndaj Burnleyt të enjten. Mirëpo, kjo nuk mbaron me kaq. Në ekipin e Cityt është mesfushori Jack Grealish, i cili u largua nga Villa para fillimit të këtij sezoni për t’u transferuar në “Etihad Stadium” në kërkim të trofeve.

Është klubi i tij i vjetër - klubi i tij i fëmijërisë gjithashtu - që mund ta ndalojë Grealishin të shpallet kampion për herë të parë në karrierë. City, ndërkohë, po kërkon të shmangë të bëhet skuadra e parë që shkon në ditën e fundit të një kampanje elitare si lider dhe të mos e mbyllë atë në vendin e parë. Trajneri i Cityt, Pep Guardiola, u përpoq të hiqte presionin nga lojtarët e tij të premten, duke thënë se ishte vetëm një lojë tjetër.

Edhe Gara për titull në Angli vazhdon me ndeshje të forta Futboll 6 muaj më parë Gara për titull në Angli vazhdon me ndeshje të forta

“Është e vështirë të thuash mos i kontrollo emocionet. Ne e dimë se për çfarë po luajmë”, tha Guardiola. “Por ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë, ne kemi folur për këtë. Në fund, është vetëm një lojë futbolli”.

Sidoqoftë, do të ishte jashtëzakonisht e dhimbshme që City ta mbyllte sezonin pa asnjë trofe. Nëse do të ndodhë kështu, atëherë Liverpooli – tashmë fitues i të dy kupave vendase – do të shkonte në finalen e Ligës së Kampionëve të javës së ardhshme, duke kërkuar ta rrëmbente trofeun e katërt këtë edicion.