Mesfushori defensiv, Marco Verratti, është i vendosur të largohet nga skuadra e Paris Saint-Germainit gjatë kësaj vere. Madje, italiani po i bën presion klubit francez për ta pranuar ofertën e Al-Hilalit.
Parisi, ditë më parë, refuzoi ofertën e ekipit saudit që për kartonin e Verrattit kishte ofruar 30 milionë euro. “L’Equipe” ka njoftuar të mërkurën se duke parë dëshirën e Verrattit për ta vazhduar karrierën në Arabinë Saudite, Parisi tashmë ia ka caktuar çmimin.
Për ta lënë të lirë 30-vjeçarin, Parisi po kërkon 60 milionë euro. Verratti në parim ka marrëveshje me Al-Hilalin, ekip që i ka ofruar kontratë trevjeçare dhe pagë vjetore prej 50 milionë eurosh.
Ai ka kontratë deri në vitin 2026 me Parisin, ekip të cilit iu bashkua në vitin 2012.