Në moshën kur shumica e sportistëve shpresojnë ta mbajnë formën e mirë, Karim Benzema e ka arritur kulmin në karrierë.
34-vjeçari francez po e shijon sezonin më të mirë nga 13 të mëparshmit që i ka kaluar te Real Madridi, dhe është shumë vendimtar për skuadrën e tij.
Benzema pas paraqitjes mbresëlënëse kundër Paris Saint-Germainit, shënoi “hat-trick” edhe kundër Chelseat në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve.
Real Madridi do të jetë nikoqir i Getafes të shtunën në orën 21:00 në kuadër të xhiros së 31-të në La Ligën e Spanjës, para se Chelsea ta vizitojë “Santiago Bernabeun”.
Me Benzeman në këtë formë, Madridi e ka edhe një shans për ta fituar titullin e 35-të në elitën e futbollit spanjoll, dhe të 14-tin në Ligën e Kampionëve.
Benzema është i padiskutueshëm te skuadra e tij dhe këtë e ka treguar edhe në ndeshjet e fundit.
Ai i ka shënuar 10-të nga 11-të golat e fundit të Realit dhe tani ka shkuar në kuotën e 37 golave në 36 ndeshje në të gjitha garat këtë edicion. Sezonin më të mirë e kishte me 32 gola për Realin në edicionin 2011/12.
Barcelona luan për vendin e dytë kundër Levantes të dielën në udhëtim në orën 21:00, ndërsa e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Atletico Madiridi, që është kampion në fuqi i La Ligas, udhëton te Mallorca e Vedat Muriqit të shtunën, para se ta presë në shtëpi Manchester Cityn në çerekfinalen e dytë të Championsit.