Sport

Benzema po shënon gola, teksa Reali synon trofetë në Spanjë dhe Evropë

Karim Benzema po e bën hapin e tij pikërisht atëherë kur Real Madridi ka më së shumti nevojë për të. Fituesi i “Topit të Artë” është penguar nga një seri lëndimesh të lehta këtë sezon, duke përfshirë një që e pengoi atë të luante për Francën në Botërorin “Katari 2022”. Por, sulmuesi 35-vjeçar po luan edhe një herë si një nga lojtarët më të mirë në Evropë, teksa Real Madridi synon dy tituj të mëdhenj. Benzema shënoi “hat-trick” në pjesën e dytë për të udhëhequr Realin në fitoren 4:0 ndaj Barcelonës të mërkurën dhe duke e kualifikuar ekipin e tij në finalen e Kupës së Mbretit për herë të parë që nga viti 2014.

Real Madridi është gjithashtu i vendosur të përballet me Chelsean javën e ardhshme në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa përpiqet të mbrojë titullin dhe të fitojë atë që do të ishte një trofe i 15-të evropian. Benzema, i cili u zgjodh futbollisti më i mirë për sezonin e tij të jashtëzakonshëm 2021/22, ka luajtur vetëm 31 nga 45 ndeshjet e Real Madridit në të gjitha garat këtë sezon për shkak të lëndimeve të lehta.

Por, ai ka qenë efektiv si gjithmonë kur është i shëndetshëm dhe veçanërisht në ndeshjet vendimtare në Champions dhe Kupën e Mbretit. Ai shënoi tri herë në fitoren e përgjithshme 6:2 të Real Madridit ndaj Liverpoolit në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve. Pasi u la jashtë ekipit të Francës për ndeshjet e fundit kualifikuese të Kampionatit Evropian, ai shënoi dy herë radhazi “hat-trick” për realin. Ai shënoi tri gola në një hark kohor prej shtatë minutash në fitoren 6:0 ndaj Valladolidit në ligën spanjolle, tri ditë para “hat-trickut” të tij në “Camp Nou”.

“Puna gjatë pushimit ndërkombëtar sigurisht që e ka ndihmuar atë”, tha trajneri i Realit, Carlo Ancelotti. “Ai ka gjetur formën e tij më të mirë dhe me cilësinë që ka, ai me siguri bën diferencën. Ai është ende një nga lojtarët më të mirë në botë për momentin dhe kur është në formë të mirë ai bën ndryshimin”.

Ancelotti mund të joshet të pushojë Benzeman ose titullarët e tjerë të shtunën, kur Reali pret Villarrealin në ligën spanjolle me Chelsean, që vjen në qytet të mërkurën. Ancelotti ishte dukshëm më i mirë se homologu i tij te Barcelona, Xavi Hernandez, duke luajtur një lojë sulmuese me Benzeman, të cilit iu bashkuan brazilianë Vinicius Junior dhe Rodrygo. Trajneri italian zgjodhi gjithashtu të luajë pa mesfushor defensiv, duke preferuar pasimet e Luka Modriqit dhe Toni Kroosit me shpejtësinë e Federico Valverdes.

Xavi kishte më pak opsione në dispozicion me Pedrin, Ousmane Dembelen, Frenkie de Jongun dhe Andreas Christensenin, të gjithë të lënduar. Rezultati ishte fitorja më e madhe e Real Madridit në stadiumin e Barcelonës që nga triumfi 5:1 në vitin 1963.

“Numrat e tij i thonë të gjitha”, tha mbrojtësi i Realit, Dani Carvajal, për Benzeman. “Ai është shumë i rëndësishëm për ne përsëri dhe jemi të emocionuar që e kemi atë në këtë formë të mirë në këtë fazë të sezonit, sepse ai mund të na japë shumë arsye për të buzëqeshur”.

Real Madridi do të favorizohet në finalen e Kupës së Mbretit kundër Osasunas, ndeshje kjo që luhet më 6 maj në Sevilla. Ndërkohë Reali do të fokusohet në Champions me Barcelonën 12 pikë përpara në krye të tabelës në La Liga. Xavi e udhëhoqi Barcelonën në fitoren 4:0 ndaj Madridit sezonin e kaluar. Barça kishte shijuar gjithashtu fitore të mëdha në “Santiago Bernabeu” në vitet e fundit, duke përfshirë triumfin 4:0 në 2015 dhe 6:2 në vitin 2009. Barcelona, e cila humbi një shans për të mposhtur Real Madridin për herë të katërt radhazi, do të përpiqet të rimëkëmbet kundër Gironas në ligë të hënën.

“Ne luajtëm kundër një ekipi të madh të Real Madridit”, tha Xavi. “Kjo ishte një humbje e rëndë që do të na marrë kohë për t'u rikuperuar, por ne duhet të jemi pozitivë dhe të mendojmë për Gironan dhe ligën”.