Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Vëllaznimi ndalet në raundin e parë, debutimin evropian e vlerëson “krenari”

Prishtinë, 12 shtator (KD) – Vëllaznimi i Gjakovës është ndalur në raundin e parë të Kupës Evropiane në hendboll. Kupa Evropiane është niveli i tretë kontinental, ndërsa kundërshtari i parë doli i pakalueshëm për gjakovarët.

Vëllaznimi është përballur me skuadrën nga Luksemburgu, Kaerjeng. Ishte pajtuar që dy ndeshjet t’i luajë në Luksemburg dhe kjo i jepte më pak gjasa për avancim tutje. Ndeshjen e parë, të luajtur të shtunën, Vëllaznimi e humbi me shifrat 32:23, ndonëse ishte në epërsi deri në mesin e pjesës së parë. Ndërkohë ndeshjen e dytë, të luajtur të dielën pasdite, Vëllaznimi e humbi me dhjetë gola dallim, 36:26.

Në pah doli përvoja evropiane e skuadrës nga Luksemburgu, por edhe cilësia e përgatitja. Luksemburgu nuk ka hendboll të nivelit të lartë, por skuadrat e këtij vendi paraqiten rregullisht në gara evropiane. Dhe në raste kalojnë kundërshtarët e parë.

Portieri Arbër Curri, i angazhuar nga Rahoveci, është dalluar te Vëllaznimi. Ai bëri dhjetë pritje, ndërsa i shënoi dy gola. Lojtari tjetër i huazuar nga Rahoveci, Alban Haziri, ishte më efikasi. Haziri i shënoi shtatë gola nga nëntë tentime. Katër gola nga tetë tentime i kishte Mali Luzha.

Sipas FHK-së, përvoja e krijuar në Luksemburg do t’i ndihmojë Vëllaznimit në edicionet e ardhshme. Në të vërtetë, skuadrat kosovare të hendbollit që prej vitit 2005 paraqiten në gara evropiane. Por nuk është se kanë bërë ndonjë përparim të madh. Maksimalisht deri më tani e kanë kaluar nga një kundërshtar. Dhe atë jo shumë shpesh.

Edhe Vëllaznimi debuton në gara evropiane Sport Vëllaznimi debuton në gara evropiane

Në raundin e parë të Kupës Evropiane paraqitet edhe Trepça, që pas dy javësh i luan dy ndeshje në Mitrovicë me skuadrën e izraelit Holon Yuavolim.

Është dashur të paraqitej në raundin e parë edhe Prishtina. Por, sipas njoftimit të Federatës Evropiane, ndeshjet e Prishtinës me skuadrën austriake Tirol është dashur të anuloheshin për shkak të kufizimeve për koronavirus. Ekipi austriak megjithatë ka avancuar në raundin e dytë, që nënkupton që EHF-ja e ka lënë Prishtinën përgjegjëse për anulimin e ndeshjeve.

Besa Famgas starton prej raundit të dytë, ndërsa ndeshjet i ka në tetor. Në tetor luajnë edhe katër skuadra të hendbollisteve.

Por Vëllaznimi është debutuesi i vetëm. Dhe gjakovarët janë ndarë të kënaqur me prezantimin.

Edhe Vëllaznimi ia shkakton Bashkimit disfatën e parë të sezonit Basketboll Vëllaznimi ia shkakton Bashkimit disfatën e parë të sezonit

“Debutimi historik me krenari”, shkruan në faqen zyrtare të Vëllaznimit.

“Pas dy ndeshjeve të forta ekipi kuqezi eliminohet kokëlart në rrethin e parë të EHF European Cup. Ky sezon evropian përfundon këtu, por jo edhe ëndrra për suksese të mëtutjeshme në vitet e ardhshme. Kjo skuadër është shumë premtuese”, kanë vlerësuar te Vëllaznimi.