Edhe një skuadër kosovare do të testohet në skenën evropiane. Bëhet fjalë për skuadrën e hendbollit Vëllaznimi që në fundjavë i luan ndeshjet e para në gara kontinentale.
Hendbollistët e Vëllaznimit do të paraqiten në raundin e parë të Kupës Evropiane, që është niveli i tretë evropian. Klubi gjakovar është pajtuar që dy ndeshjet me skuadrën Kaerjeng t’i luajë në Luksemburg. Kjo në fakt zvogëlon gjasat e Vëllaznimit për sukses, por gjakovarët janë shprehur optimistë.
Skuadrat kosovare të hendbollit që nga viti 2005 paraqiten në gara evropiane. Por Vëllaznimi, ndonëse prej skuadrave më me nam në vend, nuk ka garuar në Evropë deri më tani. Edicionin e kaluar Vëllaznimi e përfundoi në vendin e katërt në Superligë dhe vendosi ta shfrytëzojë të drejtën për të luajtur në Kupën Evropiane.
Skuadra gjakovare të premten udhëtoi për në Luksemburg. Ndeshjen e parë me Kaerjeng e luan të shtunën prej orës 18:00 në Bascharage të Luksemburgut. Ndeshja e dytë luhet të dielën prej orës 17:00.
Kaerjeng luan thuajse rregullisht në kupa evropiane. Në disa raste ka kaluar kundërshtarin e parë.
Para udhëtimit për në Luksemburg te Vëllaznimi janë shprehur optimistë. Vëllaznimi është skuadra e parë kosovare e hendbollit që garon në skenën kontinentale këtë edicion.
“Është hera e parë që marrim pjesë në gara evropiane. Nuk shkojmë me flamur të bardhë. Shpresojmë se do të kthehemi me fitore në Gjakovë dhe me kualifikim në fazën e dytë”, ka thënë trajneri Uran Luzha.
“Përgatitjet i kemi filluar më 21 korrik. Si ekip jemi mirë të komponuar Pasi është hera e parë që luajmë në arenën ndërkombëtare, pretendojmë të luajmë lojë të mirë. Rezultati pozitiv do të ishte diçka perfektë”, ka theksuar kapiteni i Vëllaznimit, Egzon Lluka.
Për ndeshjet evropiane Vëllaznimi ka angazhuar Arbër Currin e Alban Hazirin nga Rahoveci. Barrën do ta bartin lojtarët gjakovarë, shumë prej tyre të rinj.
Të shtunën është dashur të luajë edhe KH Prishtina. Prishtina përballë është dashur ta ketë skuadrën austriake, Sparkasse Schwaz Handball Tirol, ndërsa takimi i parë është dashur të luhej në Prishtinë, prej orës 18:00. Ndeshja e dytë ishte planifikuar të luhej pas një jave në Austri.
Por Federata Evropiane e Hendbollit ka njoftuar se ndeshjet e Prishtinës me Tirolin janë anuluar, ndërsa tutje avancon skuadra austriake. Prishtina nuk ka lëshuar ndonjë njoftim zyrtar.
“Dueli mes KH Prishtina (KOS) dhe Sparkasse Schwaz Handball Tirol (AUT) duhej anuluar për shkak të kufizimeve për COVID-19, me ekipin austriak që avancon në raundin e dytë”, ka njoftuar EHF-ja.
Në raundin e parë të Kupës Evropiane paraqitet edhe Trepça e Mitrovicës. Trepça do të takohet me skuadrën izraelite, Holon Yuvalim. Të dyja ndeshjet luhen në Mitrovicë, fundjavën e ardhshme (18,19 shtator).
Ndërkohë kampionia Besa Famgas fillon garën prej raundit të dytë të Kupës Evropiane. Ndeshjet e para ekipi pejan i ka në tetor.
Në Kupën Evropiane garojnë edhe katër skuadra të hendbollisteve, që ndeshjet i kanë po ashtu muajin tjetër.