Si Vëllaznimi, ashtu edhe Sigal Prishtina nuk kanë opsion tjetër veç fitores në përballjen që do ta kenë në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Kjo ndeshje, që ka rëndësi të madhe për të dy ekipet, zhvillohet të dielën prej orës 19:00 dhe i takon xhiros së 27-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Në fakt ky duel i xhiros së parafundit mund të përcaktojë ekipin që do të bie në një rang më të ulët garash. Pozitën e parafundit që dërgon në kategorinë e dytë po kërkojnë ta evitojnë të dy skuadrat.
Ekipi që e fiton këtë derbi të mbijetesës, do të sigurojë pozitën e shtatë në pjesën e rregullt të këtij sezoni që dërgon në plejaut. Fitorja po ashtu jep shpresë për kualifikim në plejof, varësisht prej rezultateve të tjera.
Deri në fund të pjesës së rregullt kanë mbetur vetëm edhe dy xhiro. Vëllaznimi është i fundit në tabelë me 35 pikë, sa i ka edhe Sigal Prishtina në pozitën e parafundit. Skuadra nga Gjakova është kthyer në elitë pas tri vjetësh. Te Vëllaznimi insistojnë se janë plotësisht të gatshëm për ta fituar ndeshjen më të rëndësishme të këtij sezoni. Vëllaznimi në këtë ndeshje futet pas dy fitoreve rresht kurse Prishtina pas dy humbjeve.
Trajneri i skuadrës së Vëllaznimit, Branimir Paviq ka thënë për KOHËN se ekipi i tij është gati për duelin e së dielës mbrëma.
“Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme si për ne ashtu edhe për Prishtinën dhe këtë e kemi parasysh. Respektojmë rezultatet e Prishtinës që i ka shënuar vitet e fundit, por edhe këtë vit ku triumfoi në Kupë dhe Superkupë. Ne kemi pritur këtë rast dhe kemi punuar shumë për ta arritur Prishtinën në shtatë ndeshjet e fundit. Tani kemi duelin vendimtar”, është shprehur Paviq. “Duhet ta luajmë një ndeshje fantastike, të ngjashme me dy të fundit në të cilat e kemi mposhtur Prishtinën. Jam optimist për rezultat pozitiv dhe besoj se ekipi do të japë maksimumin nga vetja për fitore. Besojmë në mundësitë tona për ta fituar ndeshjen që e kemi edhe synim”.
Edhe te Prishtina e kanë parasysh rëndësinë e ndeshjes me Vëllaznimin. Klubi më i suksesshëm i basketbollit kosovar ende nuk e ka të sigurt mbetjen në elitë për sezonin e ardhshëm, e aq më pak pjesëmarrjen në garat e plejofit. Në fakt kjo është hera e parë në histori të klubit që gjendet në një pozitë të tillë. Prishtina përkundër triumfit në Kupë e Superkupë, ka pasur rezultate të dobëta në kampionat. Ka vetëm nëntë fitore karshi 17 humbjeve dhe fitorja e dhjetë në Gjakovë do të garantonte pozitën e parafundit, të cilën kapiteni i Prishtinës, Edmond Azemi thotë se edhe e kanë synim për momentin.
“Vetëm fitorja ndaj Vëllaznimit e siguron pozitën e shtatë, të cilën edhe e kemi synim fillimisht. Për ne është primare ta sigurojmë këtë pozitë që na dërgon në plejaut dhe pastaj do të mendojmë për plejof. Nëse arrijmë të fitojmë dy ndeshjet e fundit, atëherë pjesëmarrja në plejof është e mundur edhe pse duhet pritur edhe rezultatet tjera. Megjithatë, fokusi ynë është vetëm ndeshja e ardhshme, ajo me Vëllaznimin që duhet ta fitojmë”, është shprehur Azemi.
Në rast të triumfit në Gjakovë, atëherë për Prishtinën do të kenë rëndësi edhe rezultatet e ndeshjeve të Trepçës dhe Bashkimit. Trepça është e gjashta me 36 pikë derisa Bashkimi renditet në pozitën e pestë me 37 pikë të mbledhura. Edhe këtë edicion gjashtë skuadrat e para do të kualifikohen për garat e plejofit. Dy skuadrat e para në tabelë kualifikohen direkt në gjysmëfinale derisa prej pozitës së tretë deri në të gjashtën do të përballen në serinë çerekfinale.
Të dielën luan edhe Bashkimi, prej orës 17:00. Bashkimi do të përballet me Ponte Prizrenin, që është një prej ekipeve favorite për titullin e kampionit. Ponte Prizreni zë vendin e parë në tabelë me 44 pikë të mbledhura dhe synimi është që në plejof të futet prej kësaj pozite për ta pasur përparësinë e terrenit vendas në garat e plejofit. Ponte Prizreni në duelin e fundit triumfoi në udhëtim te Prishtina derisa Bashkimi nuk di për fitore në dy xhirot e fundit.
Ndërkohë kjo xhiro do të hapet të shtunën gjithashtu me dy ndeshje. Në Suharekë skuadra e Golden Eagle Yllit e pret Pejën në duelin që starton në orën 17:00. Ylli është i treti në tabelë me 42 pikë, dy më pak se Peja që është e katërta. Ndërkohë prej orës 19:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, do të përballen Trepça me Rahovecin. Skuadrës së Trepçës i nevojitet fitorja për ta mbajtur pozitën aktuale që e dërgon në plejof, kurse Rahoveci renditet i dyti me 43 pikë. Rahoveci nuk di për humbje në katër ndeshjet e fundit derisa Trepça futet në këtë duel pas dy disfatave rresht.
Liga Unike nis në formë të turneut
Dueli ndërmjet Vllaznisë së Shkodrës dhe Pejës do ta hapë edhe zyrtarisht turneun “Final 8” të Ligës Unike të basketbollit. Shorti për çiftet çerekfinale është tërhequr të premten, ka njoftuar Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK).
Kjo ndeshje do të zhvillohet të martën e ardhshme në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec prej orës 16:00. Liga Unike është ligë e përbashkët e basketbollit të Kosovës e Shqipërisë, që është dashur të nisë vjeshtën e kaluar. Tani zhvillohet vetëm në formë turneu.
Ndeshja tjetër çerekfinale që po ashtu zhvillohet të martën e ardhshme, është ajo ndërmjet Rahovecit dhe Teutës së Durrësit (19:00).
Të mërkurën do të zhvillohen edhe dy ndeshjet e tjera çerekfinale: GogaBasket – Tirana (16:00) dhe Sigal Prishtina - Golden Eagle Ylli (19:00).
“Gara për vendin e tretë dhe finalja e madhe e Ligës UNIKE do të zhvillohen me datat 13-14 prill në Durrës”, thuhet në njoftimin e FBK-së.
Marrëveshja për Ligën Unike mes Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit ishte firmosur në shtator të vitit të shkuar në Tiranë, por garat nuk kanë mundur të mbahen, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi dhe masave të rrepta në Shqipëri për sportet në palestër.