Tetë persona kanë vdekur pas një rrëmuje të krijuar jashtë një stadiumi gjatë Kupës Afrikane. Tifozët u shtypën derisa po tentonin të futeshin në stadium për të përcjellë ndeshjen Kameruni - Komorosi, të hënën mbrëma. Shtatë persona të tjerë janë në gjendje të rëndë në spital, thanë autoritetet të martën.
Fillimisht ishte raportuar për gjashtë të vdekur, por numri është rritur në tetë. Të plagosurit fillimisht ishin dërguar me urgjencë në spital nga policia, derisa civilët po përpiqeshin të ndihmonin të tjerët. Spitali u mbush shpejt dhe tha se nuk mund të përballonte të gjithë pacientët. Gjithsej 38 persona u lënduan në rrëmujën e cila ndodhi të hënën mbrëma në stadiumin “Olembe” në kryeqytetin e Kamerunit, Yaounde.
Të lënduarit tani po trajtohen në katër spitale të ndryshme, tha ministri i Komunikimit, Rene Sadi. Te incidenti erdhi kur tifozët u përpoqën të hynin në stadium për të parë ekipin e Kamerunit duke luajtur me Komorosin në 1/8 e finales të turneut më të madh të futbollit në Afrikë.
Tragjedia mund të ketë qenë e lidhur me tifozët që përpiqeshin të shmangin kontrollet për COVID-19. Organizatorët e kanë bërë të detyrueshme që tifozët të tregojnë prova të testeve negative dhe të vaksinohen kundër COVID-19 nëse duan të ndjekin ndeshjet në Kupën e Afrikës. Ata duhet të kalojnë kontrollet sanitare si dhe kontrollet e sigurisë në stadiume.
Guvernatori i regjionit qendror të Kamerunit tha se numri i të lënduarve dhe viktimave mund ende të rritet. Shtypja ndodhi në momentin kur shikuesit kishin vështirësi për t’u futur në stadium.
Ndërkohë, ndeshja çerekfinale ndërmjet fituesve të dueleve Bregu i Fildishtë - Egjipti dhe Maroku -Malawi, e paraparë të luhet në stadiumin “Olembe” është zhvendosur në një stadium tjetër, ka thënë presidenti i Konfederatës së Futbollit të Afrikës, Patrice Motsepe.
“Duhet të sigurohemi që siguria e secilit tifoz është e garantuar. Nuk ka aspak tolerancë për rrethanat në të cilat njerëzit mund të lëndohen në stadium apo ta humbin jetën. Duhet të reagojmë urgjentisht dhe të mërkurën do ta kemi një takim tjetër për masat e sigurisë. Përgjegjësia duhet të jetë kolektive”, ka thënë Motsepe.
Stacionet televizive lokale kanë transmetuar pamjet që tregonin njerëz duke kërcyer mbi gardhet e sigurisë në stadium, ndërkohë që ka raportime se policia ishte e mbingarkuar. Qeveria e Kamerunit tha se 57 mijë njerëz ishin në stadium për ndeshjen në të cilën ishte menduar që turma të kufizohej në maksimum 40 mijë persona për shkak të virusit.
Stadiumi “Olembe” ka një kapacitet prej 60.000 ulëseve. Një dëshmitar tha se rrëmuja në hyrjen jugore të stadiumit ndodhi pasi tifozët u drejtuan kah zyrtarët e sigurisë drejt një porte hyrëse që ishte e mbyllur. Porta përfundimisht u hap, tha dëshmitari, duke shkaktuar një fluks të madh ku njerëzit u shkelën. Fëmijët u kapën në rrëmujë, tha dëshmitari.
“Pashë një fëmijë më pak 10 vjeç, pa jetë. Djemtë po përpiqeshin ta ringjallën atë”, tregoi ai.
Presidenti i Kamerunit, Paul Biya, urdhëroi një hetim mbi tragjedinë e cila erdhi një ditë pasi të paktën 17 persona vdiqën nga një zjarr që shkaktoi një seri shpërthimesh në një klub nate në Yaounde. Vendi i Afrikës Qendrore po pret Kupën e Afrikës për herë të parë në 50 vjet dhe përgatitjet janë nën vëzhgim prej vitesh.
Kameruni ishte menduar të organizonte turneun në vitin 2019, por iu mor e drejta dhe iu dha Egjiptit për shkak të problemeve serioze me përgatitjet, veçanërisht brenda dhe përreth stadiumeve. “Olembe Stadium” është njëri prej stadiumeve kryesore në Kupën e Afrikës, në të cilin është luajtur ndeshja hapëse dhe është paraparë të zhvillohet edhe finalja më 6 shkurt.
Pas kësaj tragjedie ka reaguar edhe FIFA që ka shprehur ngushëllimet për familjet që kanë humbur anëtarët e tyre.
“FIFA u dërgon ngushëllimet më të thella familjeve dhe miqve të viktimave që humbën jetën pas incidentit tragjik që ndodhi në stadiumin ‘Olembe’, gjatë ndeshjes së Kupës së Kombeve të Afrikës ndërmjet Kamerunit dhe Komorosit. Mendimet dhe lutjet e komunitetit global të futbollit janë me viktimat, me ata që janë lënduar në këtë incident dhe me të gjithë stafin e CAF-it dhe Shoqatës së Futbollit të Kamerunit në këtë moment të vështirë”, thuhej në komunikatën e FIFA-s.