Ndonëse nuk ka ende vendim zyrtar të UEFA-s, ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit nuk do të zhvillohet të dielen. Mediat izraelite kanë shkruar se me shumë mundësi ndeshja do të shtyhet për muajin dhjetor.
Për dhjetor nuk ka termin të planifikuar për ndeshje të përfaqësueseve. Por situata e sigurisë në Izrael ka shtyrë UEFA-n që të pezullojë ndeshjen Izrael – Zvicër, ndërsa vendim i njëjtë pritet edhe për ndeshjen e planifikuar për të dielën, Kosovë – Izrael.
Ndeshja Izrael – Zvicër pritet të luhet në muajin e ardhshëm, kështu që UEFA po sfidohet për të gjetur një termin në dhjetor për ndeshjen Kosova – Izraeli. Kjo nuk është e lehtë, duke ditur se skuadrat kanë ndeshje tashmë të planifikuara dhe termini i ri i një ndeshje të përfaqësueseve implikon shumë palë.