(KD) – Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) nuk ka vendosur ende për terminin e ri të ndeshjes mes Kosovës dhe Izraelit. Ndeshja është dashur të zhvillohej të dielën e kaluar në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Por, ndeshja u shty për shkak të situatës së sigurisë në Izrael. UEFA e ka shtyrë edhe ndeshjen Izrael – Zvicër, që është dashur të zhvillohej një javë më parë. Termini i ri i asaj ndeshjeje është 15 nëntor, por vendi ku do të luhet nuk dihet ende.
Ndërkohë nuk ka termin për ndeshjen Kosovë – Izrael, e vlefshme për kualifikimet e “Euro 2024”.
Mediat në Izrael e kanë përmendur 12 nëntorin si opsion të mundshëm. Në fakt është sajti “sport5.co.il” që ka shkruar se ndeshja në Prishtinë mund të zhvillohet më 12 nëntor. Kjo datë nuk është e rezervuar për aktivitete të përfaqësueseve dhe zhvillimi i ndeshjes sjell shumë komplikime. Shumica e lojtarëve të Kosovës kanë ndeshje me skuadrat e tyre në fundjavën e 11 e 12 nëntorit. Dhe kjo e bën të pamundur grumbullimin e tyre me kohë. Kështu që, me gjithë raportimet e izraelitëve, një opsion i tillë nuk duket shumë i mundur.
Nëse eventualisht vendoset për 12 nëntor, atëherë Izraeli do t’i ketë katër ndeshje brenda nëntë ditëve. Më 18 nëntor është ndeshja Izraeli – Rumania, ndërsa më 21 nëntor Andorra – Izraeli. Më 18 nëntor Kosova luan në udhëtim ndaj Zvicrës, ndërsa më 21 nëntor e pret Bjellorusinë. Është termini i fundit i këtyre kualifikimeve.
Ka pasur më herët raportime se ndeshja Kosovë – Izrael mund të zhvendoset për dhjetor.
Edhe
Kosova rrezikon të jetë pa shumë lojtarë në ndeshjen ndaj Izraelit
Sipas mediave izraelite, federata e këtij vendi ka kërkuar që ndeshja me Kosovën të zhvendoset për në dhjetor apo edhe mars të vitit të ardhshëm. Por, nuk ka gjetur përkrahje nga UEFA për këtë.
Në Grupin I të kualifikimeve për “Euro 2024” udhëheq Rumania me 16 pikë nga tetë ndeshje. 15 pikë nga shtatë ndeshje i ka Zvicra. I treti është Izraeli me 11 pikë nga gjashtë ndeshje. Pason Kosova me shtatë pikë nga shtatë ndeshje, derisa Bjellorusia ka gjashtë pikë nga tetë ndeshje. Grupin e mbyll Andorra që i ka vetëm dy pikë.