Sport

Kosova rrezikon të jetë pa shumë lojtarë në ndeshjen ndaj Izraelit

Ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit do të zhvillohet më 12 nëntor në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Vendimin që ndeshja e shtyrë të zhvillohet më 12 nëntor e mori FIFA të hënën mbrëma, ndërsa kjo tashmë është konfirmuar edhe nga UEFA, organizatore e kualifikimeve për “Euro 2024”.

Ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit është dashur të zhvillohej më 15 tetor, por është shtyrë për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.

Është dashur vendim i FIFA-s në mënyrë që ndeshja të zhvillohet më 12 nëntor, që nuk është termin i rezervuar për ndeshje të përfaqësueseve. Kjo dëshmon se termini i ri nuk është pa ndërlikime. Kosova rrezikon të jetë pa shumë lojtarë në atë ndeshje.

12 nëntori është ditë e diel dhe ligat evropiane pritet të zhvillohen normalisht. Rrjedhimisht shumë lojtarë të Kosovës do të kenë ndeshje me skuadrat e tyre atë fundjavë, disa prej tyre shumë të rëndësishme. Ndonëse FIFA ka vendosur që klubet të jenë të detyruara të lëshojnë lojtarët dy ditë para ndeshjes, klubet nuk do ta bëjnë këtë me shumë dëshirë. Edhe lojtarët, disa prej tyre të paktën, mund të mos jenë të pajtimit që të lëshojnë ndeshje me skuadrat për t’u grumbulluar me Përfaqësuesen kur Kosova tashmë është pa gjasa për kualifikim në Evropian. Situata nuk do të jetë aspak e thjeshtë për përgjegjësit.

Për shembull më 12 nëntor Mallorca e Vedat Muriqit luan ndeshje me Cadizin. Për Mallorcan secila pikë është shumë e rëndësishme, ndërsa Muriqi është lojtari më i rëndësishëm.

Më 12 nëntor luan edhe Napoli, ku Amir Rrahmani është mbrojtës shumë i rëndësishëm. Mbetet të shihet nëse Rrahmani do të pajtohet që ta lëshojë atë ndeshje për t’iu bashkuar Kosovës. Për më tepër Napoli ka ndeshje në Ligën e Kampionëve më 8 nëntor.

Më 12 nëntor luan edhe Lille i Edon Zhegrovës, Beshiktashi i Milot Rashicës, Clermonti i Elbasan Rashanit e shumë skuadra tjera të futbollistëve kosovarë.

Edhe lojtarët që do të kenë ndeshje të shtunën e 11 nëntorit, do të duhet të vendosin që të grumbullohen me Kosovën apo të qëndrojnë me skuadrat e tyre. Zhvillimi i dy ndeshjeve në një fundjavë nuk është opsion.

FIFA ka saktësuar se klubet, në përjashtim të atyre të Kosovës dhe Izraelit, e kanë për obligim të lirojnë një lojtar.

“Lirimi do të bëhet vetëm dy ditë para ndeshjes në fjalë, bazuar në një vendim të veçantë të FIFA-s, të motivuar nga rrethanat e jashtëzakonshme pasi nuk mund të gjendeshin data në dritaret ndërkombëtare të nëntorit”, shkruan në njoftim.

Pra lojtarët e Kosovës duhet të lirohen nga klubet e tyre të premten, më 10 nëntor. Ndërkohë grumbullimi i rregullt i lojtarëve me përfaqësuese fillon më 13 nëntor.

Klubet janë të detyruara të lirojnë lojtarët, por kjo mund të ketë çmim të lartë për disa prej tyre. Heqja dorë nga një ndeshje e rëndësishme nuk përballohet lehtë nga një pjesë e klubeve.

Dhe jo të gjitha klubet do të kenë mirëkuptim për vendimin e FIFA-s e UEFA-s, ndonëse ai është obligues.

Kosova më 18 nëntor luan ndaj Zvicrës në Basel, ndërsa më 21 nëntor i mbyll kualifikimet me ndeshjen në Prishtinë ndaj Bjellorusisë.

Izraeli e ka edhe ndeshjen e mbetur me Zvicrën, që është caktuar për 15 nëntor. Termini është brenda “dritares” së ndeshjeve ndërkombëtare dhe nuk sjell komplikime si ndeshja Kosovë – Izrael. Ende nuk është saktësuar se ku do t’i zhvillojë Izraeli ndeshjet si vendas, por tashmë dihet që jo brenda territorit të tij.

Kosova i ka shtatë pikë nga shtatë ndeshjet e deritashme dhe mban vendin e katërt në grup. Izraeli është i treti me 11 pikë nga gjashtë ndeshje. Në grup udhëheq Rumania me 16 pikë nga tetë ndeshje, ndërsa Zvicra i ka 15 pikë nga shtatë ndeshje. Prapa Kosovës në tabelë janë Bjellorusia dhe Andorra.