Skuadra e Dritës nuk ia doli t’i fitonte pikët e plota fundjavën e shkuar. Derbi lokal, Gjilani – Drita, nuk dha fitues. Përfundoi 1:1. Ajo ndeshje e së dielës vazhdon të diskutohet, saktësisht momenti i penalltisë së dhënë në favor të Gjilanit. Mevlan Zeka ktheu në gol penalltinë diskutabile. Ajo u dha për lojë me dorë në zonë, vetëm pas rishikimit të VAR-it për më shumë se pesë minuta. Por, është diskutuar nëse Zeka kishte shkaktuar ndërhyrje të palejuar para se të jepej penalltia. Gjyqtar kryesor ishte Gramos Shala.
Drita nuk reagoi. Të paktën jo publikisht. Por, është trajneri i Dritës, Akis Vavalis, që mendon se u është “vjedhur” rasti për titull.
“Është pak e vështirë të rikuperohesh mendërisht nga ajo që ndodhi, pasi mendoj se ata thuajse na e “vodhën” rastin tonë për titull. Por, jam munduar nga dje që të flas me lojtarët dhe të fillojmë përgatitjet për ndeshjen e ardhshme”, ka thënë Vavalis për KOHËN, të mërkurën.
Drita po garon me Ballkanin për titull të kampionit. Dy xhiro para fundit, Ballkani udhëheq në tabelë me 69 pikë. Ballkani të dielën fitoi 1:0 ndaj Llapit. Drita është e dyta me dy pikë më pak se kampioni në fuqi.
Trajneri grek pranon se tashmë fati nuk është në dorën e tyre. Ai shpreson në dështimin e Ballkanit në njërën prej dy ndeshjeve.
“Ne ende besojmë, por nuk varet nga ne. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është të punojmë dhe të fitojmë këto dy ndeshjet e fundit dhe të shpresojmë për ndonjë barazim të Ballkanit”, ka theksuar Vavalis.
Si Drita ashtu edhe Ballkani i luajnë në shtëpi ndeshjet e tyre të shtunën. Drita e pret Malishevën, kurse Ballkani skuadrën e Ferizajt. Malisheva dhe Ferizaj janë në garë për mbijetesë.
Në xhiron e fundit Drita luan në udhëtim ndaj Drenicës, kurse Ballkani kundër Gjilanit. Gjilani, që është në finale të Kupës me Prishtinën, synon ta ruajë vendin e tretë, kurse Drenica edicionin e ardhshëm do të paraqitet në Ligën e Parë.
“Mendoj se pas kësaj jave do të jetë e qartë rreth 90% se kush do të jetë kampion”, thotë Vavalis.
Vavalis u prezantua te Drita në fund të muajit të kaluar. E ka zëvendësuar Arsim Thaqin e dorëhequr, ndërsa është trajneri i tretë te Drita këtë kampionat. Ardian Nuhiu ishte i pari.
Vavalis vlerëson futbollin e Kosovës.
“Nuk e prisja që niveli të ishte kaq i mirë. Sigurisht që ka nevojë për përmirësim të ambienteve, por kjo mund të ndryshojë. Këtu futbolli është më mbrojtës, me shumë duele, por cilësia e lojtarëve është e mirë”.
Vavalis, 37-vjeçar, ka firmosur kontratë me Dritën deri në fund të këtij edicioni, por do të jetë trajner i saj edhe për kampionatin e ardhshëm. Ai pret paraqitje me dinjitet në garat evropiane.
“Së pari është shumë e rëndësishme të forcojmë skuadrën dhe të filloj të vendos filozofinë time, sepse do të kemi kohë të punojmë gjatë përgatitjeve për edicionin e ri. Por, me siguri në Evropë mund të dëshmojmë që kemi merituar më shumë dhe do të vazhdojmë me paraqitjet shumë të mira që ka Drita çdoherë në ndeshjet evropiane”, ka thënë Vavalis.