Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Drita ndahet me trajnerin Vavalis

Drita e Gjilanit është ndarë me trajnerin grek, Akis Vavalis. Këtë e ka bërë të ditur klubi gjilanas të hënën mbrëma. Largimi i Vavalisit erdhi pas humbjes nga Prishtina në derbin e javës së 15-të të Superligës së Kosovës në futboll. Drita të hënën pësoi 1:0 nga Prishtina në Lipjan.

Dhe kështu ka mbetur shumë prapa Ballkanit në garën për titull të kampionit. Drita është e tretë në tabelë me 25 pikë nga 14 ndeshje të luajtura. Ballkani udhëheq me 35 pikë, ndërsa ka 13 ndeshje të zhvilluara. Llapi është i dyti me 28 pikë nga 15 ndeshje.

Drita ka synime për ta fituar titullin, por deri më tani nuk e ka rivalizuar Ballkanin. Dhe çmimin e pagoi Vavalis.

“FC Drita dhe trajneri Akis Vavalis kanë ndërprerë bashkëpunimin me marrëveshje të dyanshme. Rezultati i ndeshjes së sotme ishte ai që uli palët për të analizuar situatën dhe për të gjetur një zgjidhje më të mirë për klubin. Nga të dy taborët u dakorduan që është momentit që të ketë energji të re në krye të skuadrës”, ka njoftuar Drita.

Si zakonisht, Drita ka falënderuar Vavalisin për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar.

Ka pasur presion publik nga tifozët e Dritës pas humbjes nga Prishtina. Tifo-grupi i Dritës, Intelektualët, deklaroi bojkot deri në shkarkimin e Vavalisit dhe drejtorit sportiv, Valon Zymberi. Është vlerësuar se ata janë fajtorë për rezultatet jo në përputhje me pritshmëritë.

Edhe Edicioni historik i Dritës Futboll 2 muaj më parë Edicioni historik i Dritës

Vavalis u largua, ndërsa nuk ka ndonjë vendim për Zymberin.

Për më tepër, Zymberi ka besimin e drejtuesve të klubit gjilanas, që shquhet edhe për bazën e madhe të përkrahësve. Mbështetjen për Valon Zymberin e ka konfirmuar përmes një postimi presidenti i Dritës, Valon Murseli.

Vavalis mori drejtimin e Dritës në fund të prillit. Nën drejtimin e tij rezultatet ishin larg prej atyre të synuara.