Sport

Drita pretendon titullin dhe Kupën

Drita e Gjilanit është skuadra me rezultatet më të mira në katër ndeshjet e fundit. Ka shënuar katër fitore rresht. Ecuria e ndeshjeve të fundit ka bërë që trajneri i Dritës, Akis Vavalis të besojë se ekipi tij ka forcë të luftojë për dy trofetë në Kosovë – titullin dhe Kupën.

Por për t’i realizuar synimet, Vavalis thotë se lojtarët e tij duhet të vazhdojnë të tregojnë karakter të fortë edhe në ndeshjet e ardhshme.

“Fillimisht, është e rëndësishme që kemi bërë katër fitore rresht. Jam shumë i kënaqur me rezultatet dhe po ashtu në disa ndeshje me paraqitjen. Natyrisht se mund t’i përmirësojmë paraqitjet ndeshje pas ndeshjeje, por në përgjithësi jam i kënaqur me djemtë”, ka thënë Vavalis për KOHËN.

Drita është e treta në tabelë me 18 pikë nga tetë ndeshje. Dy pikë më shumë i ka kampioni i Kosovës Ballkani, që mban vendin e parë. Llapi është në vendin e dytë me 19 pikë. Llapi do të jetë kundërshtari i ardhshëm i Dritës. Vavalis e sheh Llapin si test të radhës për të konfirmuar se Drita është ekip i denjë për t’i pretenduar deri në fund titullin dhe Kupën.

“Për mua më e rëndësishmja është që të jemi konkurrentë dhe dua të kem një skuadër që lufton deri në fund, për titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës, sepse është trofe shumë, shumë i rëndësishëm. Dhe besoj se do të luftojmë deri në fund”, ka theksuar Vavalis.

Drita vjet e humbi titullin në garë me Ballkanin. Por Vavalis insiston se Drita është bindshëm më e fortë se në edicionin e kaluar.

“Jam shumë i lumtur. Shumë, shumë lojtarë të mirë me karaktere të mira. Kemi bërë një skuadër që është sikur familje dhe kjo është shumë e rëndësishme. Po ashtu, ata provojnë të punojnë fort në çdo stërvitje duke dhënë 100% dhe kjo është për mua sekreti deri tani’, ka theksuar trajneri grek.

Edhe mesfushori Albert Dabiqaj thotë se katër ndeshjet e fundit kanë treguar se Drita do të jetë pretendente serioze për titull dhe Kupë.

“Pas një fillimi që e patëm të vështirë, tani ekipi e ka marrë me një fjalë veten, dhe tani gjithçka është në rregull. Jemi të motivuar, normal që cilësia e lojtarëve për ne do të thotë se ne do ta synojmë titullin kampion dhe ky është synimi ynë që dihet”, ka thënë Dabiqaj.

Drita është një nga skuadrat më të organizuara në Kosovë. Ka vite që qëndron mirë financiarisht, ndërsa nuk i kanë munguar edhe lojtarët cilësorë në radhët e saj.

Një prej lojtarëve që ka dhënë kontribut te Drita në vitet e fundit është Besnik Krasniqi. Mbrojtësi i krahut ka shënuar tre gola, dy prej të cilëve nga pika e bardhë.

“Drita gjithmonë lufton për titull. Edhe këtë vit jemi për titull dhe besojmë shumë se do ta arrijmë duke marrë parasysh se vitin e kaluar e humbëm të them për një ndeshje titullin. Shpresoj të mos e kemi fatin e njëjtë edhe këtë vit dhe të jemi më të koncentruar kur vjen një aso lloj ndeshjeje dhe të arrijmë titullin me Dritën. Për mua do të jetë një kënaqësi e veçantë. Viti i dytë me Dritën të bëhem kampion dhe shpresoj shumë ta arrijmë këtë qëllim”, ka thënë Krasniqi.

Drita ka tre tituj të kampionit, një Kupë dhe një Superkupë të fituar. Synon trofe të tjerë në vitet e ardhshme. Ka marrë pjesë rregullisht në vitet e fundit në garat kualifikuese të Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës.