Mbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk, personalisht e ka bindur bashkëlojtarin e tij te Holanda, Cody Gakpon, për ta refuzuar Manchester Unitedin dhe t’i bashkohet në “Anfield Road”.
PSV Eindhoveni të hënën mbrëma njoftoi se ka pranuar ofertën e Liverpoolit për Gakpon, i cili do ta kompletojë transferimin tek ekipi anglez gjatë ditëve në vijim. Për kartonin e Gakpos, Liverpooli do t’i paguajë skuadrës holandeze 51 milionë euro. Në fakt të gjithë ishin të bindur se Gakpo do t’i bashkohej Unitedit, ekip që e ka kërkuar me ngulm në gjashtë muajt e fundit. Por në fund telefonata e Van Dijkut doli të ishte vendimtare.
Atë që Unitedi nuk e arriti për muaj të tërë, Liverpooli e realizoi brenda pak orësh. Mediumet holandeze kanë raportuar se në momentin që emri i Gakpos është përmendur te Liverpooli, Van Dijk personalisht e ka marrë situatën në duar dhe ka garantuar për transferimin e 23-vjeçarit. Raportohet se Van Dijk e ka telefonuar Gakpon për ta bindur që t’i bashkohet te Liverpooli, ndërsa telefonata nuk ka zgjatur shumë. Gjatë bisedës, Van Dijk ka bërë të pamundurën për t’i treguar Gakpos se Liverpooli është një ekip i madh dhe se do ta kishte mundësinë të punonte me një trajner si Juergen Kloppi. Në fakt, falë Van Dijkut, Liverpooli ka mposhtur jo vetëm Unitedin por edhe konkurrencën e skuadrave tjera të mëdha të Evropës që ishin të interesuara për Gakpon, sidomos pas paraqitjeve të mira në Kupën e Botës “Katari 2022”.
“Telefonata e Van Dijkut, me të cilin krijoi miqësi të mirë në Katar, ndikoi që Gakpo ta refuzojë kalimin tek Unitedi për Liverpoolin”, ka shkruar gazeta holandeze “Eindhovens Dagblad”.
Në pesë ndeshje për Holandën në Botërorin e Katarit, që u eliminua në çerekfinale nga Argjentina, Gakpo realizoi pesë gola dhe ishte njëri prej futbollistëve më të mirë të rinj.
Edhe
Liverpooli finalizon transferimin e Gakpos
Te PSV Eindhoveni, kalimin e Gakpos te Liverpooli e kanë përshkruar si transferim rekord, ndërsa ekipi nga Premier League ende nuk ka konfirmuar asgjë. Gakpo do t’i nënshtrohet kontrollimeve mjekësore përpara se të firmos kontratë deri në vitin 2028 dhe të prezantohet.
Afati kalimtar i janarit nuk do të hapet zyrtarisht deri të dielën. Te Liverpooli ende nuk kanë dhënë asnjë sinjal në lidhje me Gakpon edhe pse PSV Eindhoveni e ka konsideruar çështje të mbyllur kalimin e tij në Angli.
“PSV-ja dhe Liverpooli kanë arritur marrëveshje për transferimin e propozuar të Cody Gakpos. Sulmuesi 23-vjeçar do të niset menjëherë drejt Anglisë, ku do t’i nënshtrohet formaliteteve të nevojshme përpara përfundimit të transferimit”, ka shkruar PSV Eindhoveni.
Gakpo do të jetë më se i mirëseardhur për Liverpoolin, i cili po përballet me lëndime të shumta në fazën e sulmit. Luis Diaz, Diogo Jota e Roberto Firmino janë në fazën e rikuperimit dhe nuk dihet se kur do të mund të rikthehen në fushë. Bazuar në këtë, Gakpo ka gjasa të debutojë me Liverpoolin më 2 janar, në ndeshjen që e luan në udhëtim te skuadra e Brentfordit.
Edhe
Gakpo do t’i bashkohet Liverpoolit
“Gjërat mund të ndryshojnë, por Cody ka gjithçka që duhet për t'u bërë yll. Ai ka një personalitet të mrekullueshëm për t'u bërë lojtar i madh. Është mendjehapur për çdo gjë”, ishin fjalët e trajnerit të Holandës, Louis van Gaal, kur u pyet për Gakpon.
Këtë edicion, Gakpo ka shkëlqyer te PSV Eindhoveni, ku ka shënuar 13 gola dhe ka bërë 17 asistime në 24 paraqitje në të gjitha garat.