Goli i minutës së 78-të ishte momenti vendimtar në ndeshjen e së enjtes mbrëma në mes të futbollisteve të Kosovës dhe atyre të Armenisë. Vetëm një minutë më herët, Kosova shënoi autogol për epërsinë shokuese të Armenisë. Por nuk vonoi shumë para se Valentina Metaj të shënonte gol dhe t’i jepte rast kapitenes Erëleta Memeti që me golin e minutës së 87-të të siguronte fitoren e pritur, por shumë të vështirë ndaj Armenisë.
Ndeshja në “Fadil Vokrri” i takoi eliminatoreve për Botërorin 2023. Për Metajn ishte vetëm ndeshja e parë kualifikuese për Kosovën dhe e treta gjithsej. Valentina Metaj është vetëm 17-vjeçare dhe vlerësohet shpresë e madhe e përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Valentina Metaj është me prejardhje nga Lipjani, ndërsa është e lindur dhe e rritur në Suedi. Në Suedi vazhdon të jetojë dhe të mësojë futbollin.
Futbolli është mjaft i popullarizuar në mesin e vajzave në Suedi. Një prej lojtareve më të mira në Suedi është Kosovare Asllani, sulmuesja me prejardhje nga Mitrovica. Valentina natyrisht e njeh Kosovaren dhe frymëzohet prej saj. Dhe shpreson që një ditë të arrijë sukseset e saj.
Me fillimin e karrierës te Kosova, Valentina shpejt mund të bëhet një “Kosovare Asllani” për “Dardanet”. Bilanci prej dy golave në tri ndeshje është i veçantë për një 17-vjeçare në një ekip përfaqësues për seniore.
“Kosovare Asllanin gjithnjë e ka pasur idol sportiv. E kam përcjellë vazhdimisht karrierën e saj si te Suedia, ashtu edhe në klubet ku ka luajtur. Shpresoj që një ditë të arrijë sukseset që i ka arritur Kosovarja”, ka thënë Valentina Metaj, të premten për KOHËN.
Kosovare Asllani i ka mbi 160 ndeshje për Suedinë, ndërsa i ka realizuar 44 gola. Aktualisht është pjesë e Milanit, kurse ka luajtur edhe për Real Madridin, Manchester Cityn, Paris Saint-Germainin dhe skuadra të tjera.
Niveli që ka prekur Kosovarja është ende i largët për Valentinën. Por përfundimisht jo i paarritshëm.
Ajo debutoi te Kosova më 24 qershor në ndeshjen miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut. Luajti edhe më 27 qershor, në miqësoren tjetër me Maqedoninë e Veriut. Madje më 27 qershor shënoi që në minutën e dytë në fitoren 4:0.
Startuese ishte edhe në ndeshjen kualifikuese ndaj Armenisë. Ajo luajti në pozitën e mesfushores ofanzive.
“Te Kosova më kanë pritur mirë, edhe lojtarët, edhe stafi i trajnerëve. Nuk e kam menduar se a do të jem startuese apo jo ndaj Armenisë. Por kur selektorja më ka njoftuar se do të startoj jam gëzuar shumë. Është gjë e madhe për mua që të luaj për Përfaqësuesen e Kosovës”, ka thënë Metaj, që luan edhe sulmuese.
Ajo pranon se kishte stres para fillimit të ndeshjes. E vlerëson paraqitjen, sidomos shënimin e golit, por thotë se ka mundur të paraqitet edhe më mirë.
“Tashmë kam luajtur tri ndeshje dhe kam shënuar dy gola. Natyrisht që jam e kënaqur dhe shpresoj të paraqitem për Kosovën. Është ndjenjë e veçantë për mua që të luaj për Kosovën, përfaqësuesen e vendit tonë. Gjithnjë e kam pasur ëndërr që të luaj për Kosovën”, thotë 17-vjeçarja.
Kur mori ftesën në qershor, Metaj kishte kuptuar se ishte përcjellë nga stafi i trajnerëve të Kosovës që nga fillimi i vitit. Suedezja Anneli Andersen e drejton Kosovën. Ajo ka dy asistente nga Suedia. Njëra prej asistenteve e ka parë Metajn duke luajtur në Suedi dhe e ka përcjellë më pas. Dhe kështu asaj i shkoi ftesa.
Metaj luan për skuadrën Bromolla, në kategorinë e dytë të Suedisë. Ka 18 ndeshje këtë edicion. Ka shënuar dy gola. Thotë se herë luan startuese e herë si zëvendësuese.
Por ajo po zhvillohet ende. Karrierën e ka para.
“Futboll kam nisur të ushtroj pa i mbushur 12 vjet. Në fakt kam filluar të luaj me djem në vendin ku jetoj. Më pas kam ushtruar me babanë, para se t’i bashkohesha ekipit të parë. Fillimisht kam luajtur me vajzat e moshës sime e shumë shpejt me ato dy vjet më të mëdha. Gjithë zhvillimin e kam bërë në ekipe ku vajzat ishin më të mëdha. Tani po luaj në kategorinë e dytë dhe po më shkon mirë”, thotë Valentina Metaj.
Ajo ka synime që së shpejti të luajë në elitën e Suedisë.
“Ëndërr e kam që të luaj në ligën e parë, por edhe në ekipe të vendeve të tjera. Por për këtë e di që duhet të punojë shumë, të zhvillohem ende. Nuk është e lehtë, duhet ta lësh shpirtin në stërvitje e në ndeshje për të arritur në nivelin e lartë. Shpresoj që edhe me Kosovën të kemi suksese”, ka theksuar Metaj.
Kosova e ka vetëm edhe një ndeshje me Poloninë në këtë cikël eliminator, javën tjetër. Valentina pritet ta fitojë rastin sërish. Kurse në ciklin e ardhshëm eliminator, nëse vazhdon me formën aktuale, do të jetë prej lojtareve kryesore.