Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tekstet shkollore që mirëmbajnë mentalitetin që i shtyp gratë

tekste shkollore

Foto: Ilustrim

Stereotipet gjinore mirëmbahen edhe përmes librave shkollorë, tregojnë hulumtimet e publikuara në Kosovë. Djemtë paraqiten me kamionë e vajzat me kukulla, ndërsa në lekturat shkollore, gratë përshkruhen edhe me gjuhë denigruese. Ekspertët e fushës thonë se këto modele përforcojnë mendësinë patriarkale, e cila mund të ndikojë edhe në trajtimin institucional të rasteve të dhunës ndaj grave

Përmbajtja e teksteve dhe lekturave shkollore jo vetëm që pasqyron, por edhe riprodhon stereotipe gjinore dhe modele tradicionale që përforcojnë pozitën e pabarabartë të grave në shoqëri, vlerësojnë sociologë e ekspertë të fushës së arsimit.

Në vitin 2024, organizata YiHR publikoi një hulumtim, përmes të cilit evidentoi elemente diskriminuese në tekstet shkollore. Në librin e Biologjisë për klasën e 12-të, për shembull, djemtë paraqiten duke luajtur me kamionë, ndërsa vajzat me kukulla.

Në të njëjtin libër, ndonëse paraqiten dy gra boksiere, teksti që e shoqëron fotografinë thekson se, pavarësisht ndryshimit të pritshmërive ndaj grave krahasuar me vitet ’70, ato “vazhdojnë të kenë rolin kryesor në mirëmbajtjen e shtëpisë dhe kujdesin për anëtarët e tjerë të familjes”.

Stereotipe të tilla nuk kufizohen vetëm te tekstet mësimore. 

Agon Ahmeti, drejtor në organizatën ETEA, tregon se gjatë një hulumtimi të vitit të kaluar, ka evidentuar edhe gjuhë denigruese ndaj grave në lekturat shkollore.

“Gruaja shpeshherë përçmohet dhe ofendohet me fjalë si kudër, pjellë e keqe, bijë e shtrigës dhe të ngjashme. Kuptoj dhe mirëkuptoj faktin që ky është edhe domen i letërsisë, por fakti që hulumtimi na tregon që mësimdhënësit nuk merren me kontekstin dhe të analizojnë aspektin tradicional dhe ta ndajnë në aspektin kohor se çka ndoshta ka qenë kulturë e zakonshme e shqiptarëve se si është situata sot, kjo shkakton te nxënësit thjesht t’i përvetësojnë këto stereotipe”, ka thënë Ahmeti.

Lidhur me këto shqetësime, gjatë ditës nuk janë përgjigjur në Ministrinë e Arsimit. 

E sipas sociologut Genc Xërxa, ndikimi i këtyre përfaqësimeve lidhet edhe me mënyrën se si fëmijët edukohen në familje dhe në shkollë. 

“Një psikolog shumë mirë e thotë: kjo fillon prej pjatës pasi e mbaron ushqimin, se të gjithë rrëmujën që e ke bërë t’i duhet ta pastrosh e jo të merret dikush tjetër me të. Por t’i krijon vetëm probleme dhe dikush tjetër i përmirëson pas teje dhe t’i ndihesh si aga, pasha apo sulltan dhe t’i i disponon të gjitha privilegjet që anëtarët e tjerë të familjes nuk i kanë – pra vajzat”, thotë Xërxa.

Ai thekson se, këto modele të përvetësuara që në fëmijëri, mund ta shoqërojnë individin gjatë gjithë jetës dhe të ndikojnë edhe në mënyrën se si ai i trajton të tjerët.

Pasojat, sipas tij, mund të shfaqen edhe në institucionet publike, përfshirë trajtimin e rasteve të dhunës në familje. 
“Edhe zyrtarët nëse është në sfondin e mendësisë patriarkale, bie ndesh ligji me normat apo besimet e tij. Ashtu që mund të hasë në pengesë, neglizhencë edhe në disa pikëpamje hezitimi që të zbatohet në përpikëri”, thotë Xërxa.

Rast i dështimit të institucioneve për ta mbrojtur një grua nga dhuna është vlerësuar ai i Arlinda Zekajt, vrasja e së cilës ka nxitur protesta në Prishtinë, për dy ditë radhazi.

Zekaj i pati paralajmëruar disa herë institucionet për rrezikun që i kanosej, por rasti i saj dyshohet se nuk mori trajtimin e duhur nga Policia, Prokuroria, Gjykata dhe Qendra për Punë Sociale.