Sport

Union Berlini ka vështirësi t’i besojë suksesit në Bundesligë

Union Berlin - Bundesliga

Edhe lojtarët po e kanë të vështirë të besojnë në ecurinë e jashtëzakonshme të Union Berlinit këtë sezon.

“Është pak joreale”, tha mesfushori i Unionit, Rani Khedira, pas fitores 2:1 ndaj Leipzigut në Bundesligë.

I promovuar për herë të parë në vitin 2019, Unioni ka arritur tashmë - dhe ka tejkaluar - objektivin e sezonit prej 40 pikësh, për të siguruar mbijetesën dhe vendin në ligë për një edicion të pestë. Kanë mbetur edhe 14 ndeshje për të përfunduar edicioni 2022/23.

“Askush nuk e kishte imagjinuar këtë zhvillim”, tha Khedira. “Ne u ulëm para sezonit dhe shpejt u bë e qartë për të gjithë se ne donim të arrinim sërish 40 pikë sa më shpejt që të ishte e mundur, sepse e dimë se sa e vështirë është Bundesliga”.

Pavarësisht burimeve modeste, Unioni është vetëm një pikë prapa 10 herë kampionit në fuqi të Bundesligës, Bayern Munichut, që është lider. Unioni zë vendin e dytë pasi ka fituar çdo ndeshje që nga fillimi i vitit.

“Çmenduria vazhdon”, tha trajneri i Unionit, Urs Fischer.

Ishte fitorja e pestë radhazi e klubit në ligë, ajo 2:1 ndaj Leipzigut. Po ashtu i dha fund serisë së pamposhtur prej 18 ndeshjesh të ekipit vendas në të gjitha garat.

Fischer u bëri jehonë deklaratave të Khediras, i cili ishte kapiten në vend të Christopher Trimmel të pushuar, kur iu referua totalit të pikëve të ekipit.

“Është edhe më surreale se sa ishte para ndeshjes”, tha trajneri zviceran. “Dyzet e dy pikë në xhiron e 20-të, çfarë duhet të them?”.

Leipzigu, i mbështetur dhe i kontrolluar nga gjigandi i pijeve energjike “Red Bull”, u pa si një pretendent i vërtetë për titull, pas fitimit të Kupës së Gjermanisë vitin e kaluar. Por humbja ndaj Unionit, një klub në pronësi të 49,000 anëtarëve, e la Leipzigun shtatë pikë prapa Bayernit. Ishte ndeshja e katërt nga gjashtë këtë vit që Unioni e fitoi me rikthim të rezultatit.

“Ne nuk e dimë saktësisht se si i kthejmë ndeshjet. Mendoj se është thjesht një moral i pabesueshëm”, tha Khedira, vëllai më i vogël i ish-mesfushorit të Gjermanisë, Sami Khedira. “Nuk ishte një fitore e merituar, nuk ishte një fitore e bukur, por një fitore për moralin. Dhe unë mendoj se kjo është ajo që e bën këtë ekip”.

Unioni fitoi me rikthim rezultati për të arritur në çerekfinale të Kupës së Gjermanisë, me një fitore 2:1 ndaj Wolfsburgut më 1 shkurt. Union Berlini e shfrytëzoi mirë pushimin e zgjatur dimëror të Bundesligës. Orari i ngjeshur para pushimit e pa Unionin të pësojë 11 gola në tri ndeshje pa fitore. Berlini kishte më parë mbrojtjen më të mirë të ligës me vetëm nëntë gola të pësuar në 12 ndeshje.

Ndërkohë që lojtarët u rikuperuan, drejtori i përgjithshëm, Oliver Ruhnert, punoi në përforcime, duke sjellë mbrojtësin kroat, Josip Juranoviq, nga Celticu, mesfushorin e Tunizisë, Aissa Laidouni, nga Ferencvarosi dhe mbrojtësin francez, Jerome Roussillon, nga Wolfsburgu për t’i kompensuar largimet e Harachit dhe Julikianit. Të tri ardhjet e reja janë paraqitur dukshëm në fillimin fitues të vitit.

Pesë fitore radhazi në Bundesligë është një rekord për Unionin, i vetmi ekip në ligë që ka luajtur në DDR-Oberliga, ekuivalenti i Bundesligës në Gjermaninë Lindore.

Ekipi do të vizitojë klubin holandez Ajax në plejofin e Ligës së Evropës, të enjten. Është hera e parë që Unioni është në fazën eliminatore të kësaj gare. Ish-kapiteni i Gjermanisë Perëndimore, Lothar Matthaeus, që komenton ndeshjet në televizor, ka vetëm fjalë të mira për Unionin.

“Nuk duam të flasim vetëm për kampionatin, por për paraqitjet e Unionit gjatë viteve të fundit. Unioni është ende në tri gara këtë sezon. Për një klub si Unioni, i cili u promovua katër vjet më parë, është gjithçka, është e madhe, meriton njohjen më të lartë nga çdo tifoz futbolli, qoftë tifoz i Unionit apo jo”, tha Matthaeus. “Ata nuk luajnë vetëm futboll, ata punojnë në futboll dhe kjo është forca e Unionit. Kjo është arsyeja pse ata janë kaq të suksesshëm, sepse punojnë për njëri-tjetrin”.