Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Union Berlini po e ringjall garën në Bundesligë

Bayern Muencheni ka shënuar 30 gola në 10 ndeshje të Bundesligës, por kampioni i dhjetë sezoneve të fundit është ende katër pikë prapa liderit befasues të këtij edicioni, Union Berlinit. Unioni do të mbetet në krye të tabelës, pa marrë parasysh sa gola shënon Bayerni kundër Hoffenheimit fundjavën e ardhshme, që do të thotë se skuadra nga kryeqyteti do ta udhëheqë divizionin më të lartë të futbollit të Gjermanisë për të paktën gjashtë fundjavë radhazi.

Është një arritje e jashtëzakonshme për një klub që u promovua në Bundesligë për herë të parë në vitin 2019 dhe ka parë lojtarët më të mirë t’i largohen në çdo afat kalimtar, duke u transferuar te rivalë për paga më të mëdha. Objektivi i vetëm i Unionit për sezonin e tij të katërt në elitën e futbollit gjerman ishte shmangia e rënies në Bundesligën 2. Por klubi me bazë në Koepenick po i tejkalon edhe pritshmëritë e tij. Janik Haberer shënoi dy herë për një fitore 2:0 ndaj Borussia Dortmund të dielën, ndonëse mund të kishte vazhduar të shënonte më shumë. Lojtarët e Unionit festuan me tifozët më pas, duke kërcyer lart në fushë, ndërsa tifozët këndonin për fitimin e titullit të kampionit. Kjo ishte fitorja e shtatë e Unionit në 10 ndeshje në ligë. Berlini gjithashtu barazoi me Bayernin 1:1 muajin e kaluar.

“Është e çmendur, në fakt e pabesueshme gjithashtu”, tha trajneri i Unionit, Urs Fischer, i cili hodhi poshtë çdo nocion të një sfide për titull.

Fischer tha se objektivi i ekipit të tij mbetet tubimi i 40 pikëve dhe do të qëndrojë lart “përpara se ndoshta të flasë për një objektiv të ri”.

Në të njëjtën fazë sezonin e kaluar, Bayerni kryesonte me një pikë përpara Dortmundit. Ishte një pikë edhe përpara Bayer Leverkusen pas 10 ndeshjeve në edicionin 2020/21. Unioni është i vetmi ekip që luan në Bundesligë që ka luajtur në “DDR-Oberliga” - ligën e vjetër të Gjermanisë Lindore - dhe tifozët e tij duhet ta mbajnë në mend xhiron e parë të sezonit 1970/71 kur skuadra e tyre ishte për herë të fundit në krye të tabelës. E vetmja herë tjetër që Unioni ishte i pari në Oberliga ishte pas rundit të shtatë të sezonit 1967/68.

“Sigurisht e kuptoj”, tha Fischer për entuziazmin e krijuar nga ky ekip. “Por nuk më intereson. Është logjike që tifozët tanë të festojnë, të hidhen në një kampanjë për kampionatin, pasi gjithçka është mirë dhe korrekte. Ata mund të ëndërrojnë. Por nuk jemi ne ata që duhet të ëndërrojmë, duhet ta ruajmë fokusin”.

Pjesa më e madhe e suksesit të Unionit varet nga trajneri i nivelit të lartë zviceran. Fischer mori drejtimin e Unionit në vitin 2018 dhe e udhëhoqi skuadrën drejt promovimit në Bundesligë përmes plejofit në sezonin e tij të parë. Unioni përfundoi i 11-i pas vitit të parë në Bundesligë, më pas i shtati, pastaj i pesti sezonin e kaluar, për t'u kualifikuar në Ligën e Evropës. Performanca intensive e Unionit në pjesën e parë kundër Dortmundit përmbledh gjithçka që Fischer dëshiron nga lojtarët e tij. Mysafirët nuk patën kohë për ta mbajtur topin me lojtarët e Unionit që i sfidonin në çdo rast, duke fituar shumicën e topave.

Trajneri i Dortmundit, Edin Terziq, ishte i paqartë në lëvdatat e tij për ekipin e Fischerit më pas.

“Është ajo që i veçon skuadrat kryesore. Të gjithë e dinë se çfarë mund të bëjnë, por nuk mund ta ndalojnë atë. Nëse shikoni vitet e fundit, është një stil loje shumë i pjekur. Ju mund të shihni se të gjithë e dinë punën e tyre”, tha Terziq për lojën e Unionit. “Ka disa gjëra që ata janë të lumtur t'i pranojnë, kjo është ndoshta posedimi i topit dhe rreziku për ta ndërtuar lojën. Por ajo që ata nuk i shmangin janë sfidat. Ata futen në çdo sfidë dhe janë shumë, shumë agresivë. Ata ndihmojnë njëri-tjetrin, mbështesin njëri-tjetrin, nuk e lënë kurrë një shok skuadre vetëm, por gjithmonë kthehen, kështu që nuk është e lehtë të luash kundër tyre”.

Unioni ka mbrojtjen më të mirë në ligë, por Fischer thotë se ka ende shumë hapësirë ​​për përmirësim.

“Ne kemi ende çështjet tona për të cilat duhet të punojmë”, tha Fischer, i cili iu referua skuadrës që ka vetëm 29 për qind posedim të topit dhe një përqindje të pasimeve të sakta prej 68 për qind.

“Duhet të jetë më e saktë”.

Union pret klubin e kategorisë së dytë Heidenheim në rundin e dytë të Kupës së Gjermanisë, të mërkurën, përpara se ta vizitojë skuadrën e vendit të fundit në Bundesligë, Bochumin, të dielën.

Artikuj të ngjashëm