Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ujkani thotë se nuk hezitoi ta pranonte ofertën e Empolit

Portieri i Kosovës, Samir Ujkani ka thënë se nuk ka hezituar aspak ta pranojë ofertën e Empolit, përkundër që kishte oferta nga disa skuadra tjera.

Ujkani në fillim të këtij viti iu bashkua Empolit si lojtar i lirë, dhe firmosi kontratë njëvjeçare më mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.

Në prezantimin e tij te Empoli, Ujkani të enjten tha se shpreson ta ndihmojë ekipin e ri dhe gjithashtu të jetë titullar.

“Isha në grumbullim me përfaqësuesen time dhe papritmas më thirri agjenti që më njoftoi për disa oferta. Por, në momentin që e dëgjova ofertën e Empolit, e pranova menjëherë. Jam këtu për të punuar dhe për ta ndihmuar ekipin, pastaj i takon trajnerit për ta zgjedhur portierin e parë”, është shprehur Ujkani që dy sezonet e fundit ishte pjesë e Torinos dhe në total pati dy paraqitje.

Portieri 33-vjeçar prej vitit 2007 bën karrierë në futbollin italian, kurse gjatë sezonit 2018/19 ishte pjesë e skuadrës nga Turqia, Rizespor.

Edhe Shifrat e veçanta të Samir Ujkanit Sport Shifrat e veçanta të Samir Ujkanit

Ujkani ka luajtur për ekipet e dy rangjeve të para të Italisë, si Palermo, Novara, Chievo, Genoa, Latina, Pisa e Cremonese.

Empoli këtë edicion është kthyer në Serie A dhe pas tri xhirove të zhvilluara ka tubuar tri pikë, pasi ka regjistruar një fitore e dy humbje.