Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shifrat e veçanta të Samir Ujkanit

Më 3 qershor të këtij viti, Samir Ujkani luajti gjashtë minuta për skuadrën e Empolit në Serie A, kampionat ku para 14 vjetësh debutoi si senior. Paraqitja ndaj Lazios në javën e fundit të edicionit 2022/2023 të Serie A ishte e veçantë për portierin Ujkani. Në fakt, ishte jubilare për vushtrriasin. Ai regjistroi paraqitjen e 50-të në një prej kampionateve më të forta në Evropë, Serie A. Ishte edhe fundit për Ujkanin, i cili të mërkurën njoftoi për pensionimin nga futbolli aktiv. Si senior, Ujkani debutoi më 26 prill të vitit 2009. Atëbotë Ujkani ishte portier i skuadrës së Palermos, ndërsa luajti në ndeshjen kundër Milanit. Ujkani nëpërmjet një postimi emocional në “Instagram” njoftoi për tërheqjen e tij nga futbolli.

“Ashtu sikur për gjithçka tjetër në jetë, ka ardhur koha që të them lamtumirë. Nuk jam as i mërzitur e as i trishtuar, në fakt ndihem shumë i qetë dhe shikoj me krenari të jashtëzakonshme rrugëtimin tim futbollistik dhe karrierën time, duke qenë i vetëdijshëm se kam qenë me shumë fat që kam përjetuar një eksperiencë unike dhe të mrekullueshme. Ky rrugëtim më ka dhënë mundësinë të njoh shumë njerëz, pothuajse në çdo qytet ku kam jetuar dhe kujtime të pashlyeshme për çdo fanellë që e kam bartur me krenari dhe që do të jenë pjesë e rëndësishme e jetës sime”, shkruan në letrën e Ujkanit.

Gjatë karrierës së tij, Ujkani ka luajtur për shumë skuadra, shumica prej tyre në Itali. Ai ka qenë pjesë e Palermos, Novaras, Chievos, Genoas, Latinas, Pisas, Cremoneses, Rizesporit, Torinos dhe Empolit. Pjesë e Empolit, Ujkani ishte edicionin e fundit. Me fanellën e Përfaqësueses së Kosovës, Ujkani ka regjistruar 35 paraqitje. Ai iu bashkua Kosovës menjëherë pas anëtarësimit të FIFA dhe UEFA. Debutoi në muajin mars të vitit 2016. Ndërkohë, më herët, Ujkani ka qenë pjesë edhe e Përfaqësueses së Shqipërisë për të cilën ka pasur 20 paraqitje. Ka falënderuar të gjitha skuadrat që ka luajtur gjatë karrierës, duke mos lënë anash as Kosovën e Shqipërinë. Nuk ka harruar as tifozët, duke shtuar se i japin kupton dhe shpirt futbollit, të cilin e ka vlerësuar si sport të mrekullueshëm.

“Faleminderit për ekipin kombëtar të Shqipërisë, e mbi të gjitha, faleminderit vendlindjes sime dhe Kombëtares sime të Kosovës. Po ashtu, është koha për t’ i falënderuar të gjithë ata me të cilët e kam ndarë këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm dhe të cilët dua t’ i falënderoj duke i karakterizuar, sepse 100 faqe nuk do të mjaftonin, duke i përmendur me emra. Faleminderit shumë për bashkëlojtarët e mi, kudo dhe në cilëndo kohë të karrierës sime. Disa prej tyre janë bërë shokët të mi për gjithë jetën, mirëpo të gjithë ata kanë pasur një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin tim si futbollist. Faleminderit për të gjithë tifozët, që janë bukuria, kuptimi dhe i japin shpirt këtij sporti të mrekullueshëm”, ka theksuar, ndër të tjera ,Ujkani.

Ujkani ka falënderuar edhe familjen e tij, prindërit, vëllanë, motrën, bashkëshorten, vajzën dhe djalin e tij. Në fund të letrës së tij, Ujkani ka lënë të kuptohet se së shpejti do të ketë një tjetër angazhim në futboll. Në fakt, ai ka thënë se ky fillim i tij veçse ka filluar.

Edhe Portieri i Shqipërisë bëhet me skuadër të re Futboll 4 d. më parë Portieri i Shqipërisë bëhet me skuadër të re

“Çdo fund sjell një fillim të ri, dhe fillimi im i ri po nis tani… do t’ ju njoftoj së shpejti”, ka shkruar Ujkani.

35-vjeçari hapat e parë në futboll i ka marrë në akademinë e Anderlechtit të Belgjikës. Në verën e vitit 2007 u largua nga ekipi U19 i Anderlechtit për te Palermo në Itali, ku edhe nisi rrugëtimi i tij prej profesionisti. Ujkani bëhet lojtari i tretë i “Dardanëve” që ka vendosur t’i varë “këpucët në gozhdë” brenda një periudhe të shkurtër. Më herët nga futbolli janë pensionuar edhe Anel Rashkaj dhe Albert Bunjaku, të cilët po ashtu kanë qenë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës. Kosova pa Ujkanin, i cili ishte pjesë e treshes së portierëve, do të ketë tri ndeshje gjatë këtij muaji. Të parën do ta ketë kundër Izraelit më 12 nëntor, pastaj me Zvicrën më 18 nëntor dhe më 21 nëntor kundër Bjellorusisë. Me Izraelin dhe Bjellorusinë, Kosova luan në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa me Zvicrën do të përballet në Basel. Këto ndeshje i takojnë Grupit I të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, i cili vitin tjetër do të mbahet në Gjermani.