Portieri me prejardhje nga Kosova, Jozef Pukaj, është tërhequr nga futbolli aktiv në moshë shumë të re. Pukaj në moshën 23-vjeçare i ka thënë lamtumirë lojës së futbollit, ndërsa një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe skuadra e tij, Winterthuri.
Në njoftimin e klubit të Superligës zvicerane thuhet se Pukaj është tërhequr me efekt të menjëhershëm. Ai e ka shkëputur kontratën që i skadonte në verën e vitit të ardhshëm.
Pukaj prej verës së vitit 2021 ishte pjesë e Winterthurit. Te kjo skuadër kishte kaluar nga Baseli. Me Winterthurin ka regjistruar dhjetë paraqitje në kategorinë e dytë helvetike, Superligë dhe Kupën e Zvicrës. Arsye e tërheqjes së Pukajt raportohet se janë lëndimet e shpeshta, përfshirë këtu edhe atë që e pësoi në fillim të këtij viti.
Pukaj në janar pësoi një lëndim në fytyrë në ndeshjen miqësore kundër Tallinit dhe nuk arriti të rikuperohet shpejt. Ndërkohë u detyrua të pauzojë edhe për disa muaj të tjerë shkaku i lëndimit të shpatullës. Që nga atëherë kosovari ka regjistruar vetëm një paraqitje për Winterthurin. Qëndroi në portë në ndeshjen për kupë kundër ekipit amator, FC Wettswil-Bonstetten.
“Pas përpjekjes së madhe dhe vlerësimit të tij personal, Jozefi ka vendosur t'i kthejë shpinën futbollit të nivelit të lartë dhe të provojë një sfidë të re jashtë futbollit. Menaxhmenti sportiv i FC Winterthur tashmë po punon intensivisht për një zgjidhje të mirë për pozicionin e portierit, që mbeti vakant brenda një kohe të shkurtër. Ne dëshirojmë të falënderojmë Jozefin për angazhimin e tij, profesionalizmin brenda dhe jashtë fushës. I urojmë të gjitha të mirat, gëzime dhe suksese në aspektin personal dhe profesional”, ka shkruar Winterthuri në njoftim.
Pukaj vitin e shkuar ishte në portën e Winterthurit në disa ndeshje të elitës së futbollit zviceran. Madje, ai ishte më i merituari për barazimin 1:1 kundër Baselit.
Edhe
I jep fund karrierës lojtari që la Serbinë për Kosovën
Pukaj, i lindur në Riehen të Zvicrës, hapat e parë në futboll i kishte marrë në ekipin lokal FC Amicitia Riehen në vitin 2009. Pas dy vjetësh ishte transferuar te Baseli, ndërsa para se t’i bashkohej Winterthurit ishte huazuar për disa muaj te Lausanne Ouchy. Në nivel përfaqësuesesh, Pukaj ka regjistruar paraqitje pothuajse me të gjitha gjeneratat e Zvicrës – U16, U17, U18, U19 dhe U20.
Vitin e shkuar ai ishte ftuar nga Përfaqësuesja A e Kosovës për ndeshjet miqësore të luajtura në muajin nëntor. Kishte qenë në bankën e rezervistëve kundër Armenisë, ndërsa debutimin e kishte bërë tri ditë më pas kundër Ishujve Faroe. Ndeshja përfundoi me shifrat 1:1, ndërsa Pukaj ishte i pazëvendësueshëm.