Sport

UEFA: Ndeshja Spanjë – Kosovë organizohet sipas rregulloreve të FIFA-s

Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) e ka bërë të qartë se ndeshja kualifikuese për Botërorin 2022 mes Spanjës e Kosovës do të zhvillohet konform rregulloreve të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA).

Dhe ky qëndrim i UEFA-s i shprehur në një përgjigje me shkrim për KOHËN, sipas Federatës së Futbollit të Kosovës e përjashton mundësinë që Spanja të ketë qëndrim diskriminues ndaj Kosovës në ndeshjen e 31 marsit në Sevilla.

Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe përfaqësimi i Kosovës në territorin e saj jo gjithnjë ka qenë i barabartë me të vendeve të tjera. Në këtë drejtim ka shkuar edhe një njoftim i publikuar të martën në sajtin zyrtar të Federatës spanjolle, ku në vend të “Kosova” është shkruar “territori i Kosovës”. Njoftimi vazhdon të jetë në faqen zyrtare të Federatës spanjolle në formë të njëjtë, pra me termin “territor i Kosovës” në vend të Kosovës.

Botërorin e futbollit e organizon FIFA. Dhe sipas UEFA-s, ndeshja në Spanjë është nën juridiksionin e shtëpisë botërore të futbollit.

“Ndeshja në fjalë bie nën juridiksionin e FIFA-s dhe për këtë arsye organizohet sipas rregulloreve të FIFA-s”, thuhet në një përgjigje me shkrim të UEFA-s për KOHËN.

Në FFK janë të bindur se kjo përgjigje nënkupton trajtim të barabartë për Kosovën në Spanjë. Sipas menaxherit të përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, rregulloret e FIFA-s e garantojnë këtë.

“Për të gjitha ndeshjet brenda territorit të Evropës ne jemi në kontakt vetëm me UEFA-n, e cila e ruan kontaktin me FIFA-n. Kështu që ne nuk marrim material prej FIFA-s. Mirëpo fakti që UEFA ka dhënë përgjigje të tillë për ju, flet mjaftueshëm se si do të zhvillohet ndeshja, që i bie sikur çdo ndeshje tjetër ndërmjet dy ekipeve kombëtare, me flamur, himn dhe emër ndërkombëtar të shteteve që do të paraqiten”, ka thënë Bajram Shala për KOHËN. “Këto janë gjëra bazike në mënyrën e prezantimit të dy ekipeve kombëtare”, ka shtuar Shala.

Në rregulloren e FIFA-s për Botërorin 2022 është një pikë për flamuj, himne dhe muzikën e garave. Në atë pikë shkruan se federatat nacionale marrin direktiva nga FIFA dhe konfederatat gjegjëse, në rastin e Spanjës e Kosovës nga UEFA.

“FIFA dhe konfederata gjegjëse do të përcaktojnë elementet ekzakte ceremoniale të vendosura në vend në secilën nga ndeshjet preliminare. FIFA dhe konfederatat duhet t’u japin federatave anëtare pjesëmarrëse direktiva për implementimin e këtyre elementeve”, shkruan në pikën 25.

Në FFK kanë thënë se kryetari i saj, Agim Ademi, ka marrë konfirmimin nga Federata spanjolle për zhvillimin e ndeshjes konform rregulloreve dhe protokollit të FIFA-s dhe UEFA-s. FFK-ja nuk e ka përmendur që ende qëndron njoftimi i Federatës spanjolle për ‘territorin e Kosovës”. Madje konfirmimi i spanjollëve nuk ka ardhur përmes komunikimit zyrtar të shkruar, por përmes një telefonate.

“Gjatë ditës presidenti Agim Ademi e ka pranuar një telefonatë nga Federata e Futbollit e Spanjës. Me këtë rast RFEF ka shprehur keqardhje për lajmet e publikuara në mediat e atjeshme dhe ka konfirmuar se ndeshja Spanjë – Kosovë do të zhvillohet konform rregulloreve dhe protokollit të FIFA-s dhe UEFA-s për ndeshje zyrtare. Po ashtu RFEF ka shprehur mikpritje për Kombëtaren e Kosovës dhe u tregua e hapur në bashkëpunim për çfarëdo nevoje që mund të ketë FFK-ja. Presidenti Ademi shprehu respektin dhe besimin e tij ndaj Federatës së Futbollit të Spanjës dhe bindjen e tij se do të zhvillohen dy ndeshje të mira si në Sevilla ashtu edhe në Kosovë”, ka njoftuar FFK-ja.

Nuk është bërë e ditur se me kë ka folur Ademi.

Është raportuar edhe për një bisedë të Agim Ademit me zyrtarët e UEFA-s, pa përmendur emra apo pozita.

“Presidenti Ademi përmes telefonit bisedoi edhe me zyrtarët e UEFA-s. Këta të fundit e kontaktuan atë për ta sqaruar situatën e krijuar së fundmi dhe ia konfirmuan se gjithçka është në rregull dhe se ndeshja do të zhvillohet ashtu siç është paraparë”, njofton FFK-ja.

Mediat spanjolle edhe të mërkurën kanë raportuar gjerësisht për situatën e krijuar. Të martën “Marca” kishte shkruar për një mori gjërash diskriminuese ndaj Kosovës. Ndër të tjera, kishte shkruar se në ndeshje himnit të Kosovës nuk do t’iu referohet si himn, por si muzikë. Po ashtu, sipas “Marcas”, flamuri i Kosovës nuk do të qëndroj pranë atij të Spanjës. Kosovës assesi nuk do t’iu referohej në emrin zyrtar, por si “territor i Kosovës”. Madje një qasje e tillë sipas “Marcas” do të ishte edhe në transmetim televiziv. Këto ishin kërkesa të Qeverisë së Spanjës për të lejuar organizmin e ndeshjes në territorin spanjoll e me të cilat ka gjasë të jetë pajtuar Federata spanjolle e futbollit.

Të mërkurën ka pasur komunikim në mes të Federatës spanjolle dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Spanjës për të gjetur një zgjidhje. Federata spanjolle ka pranuar një udhëzues për ta ndjekur ndeshjen. Aty bëhej e qartë se Kosovës nuk bën t’i referohet si shtet i pavarur. “Territori” apo “Federata” ishin prej propozimeve të Ministrisë.

Në një intervistë për “Marca”, Agim Ademi ka thënë se nuk do të pranojnë thyerje të rregullave.

“Federata e Futbollit e Kosovës është anëtare e plotë e UEFA-s dhe FIFA-s me të drejta dhe obligime të njëjta si 211, përkatësisht 55 anëtaret e tjera. Ne duhet të luajmë ndeshjet nën rregulloret e FIFA-s dhe UEFA-s dhe sipas parimeve bazë të sportit në përgjithësi. Ne respektojmë Federatën spanjolle, por nuk do të pranojmë asnjë thyerje të rregullave, sidomos të drejtën tonë si shtet”, ka thënë Ademi.