Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

UEFA e vlerëson pozitiv zhvillimin e Evropianit në shumë vende

Zuerich, 2 mars - Eksperti i emëruar këshilltar mjekësor nga UEFA në procesin e përgatitjes për Kampionatin Evropian të shtyrë, beson se vendimi i diskutueshëm për të organizuar turneun e madh të futbollit në 12 qytete të shpërndara në të gjithë kontinentin, mund të jetë “një bekim”.

“Është shumë e vështirë, por është gjithashtu një bekim”, tha Daniel Koch në lidhje me planet për turneun evropian.

Kanë mbetur edhe rreth 100 ditë deri në ndeshjen hapëse, e planifikuar të luhet në Romë më 11 qershor.

“Nga njëra anë, ne duhet të diskutojmë gjërat me çdo vend, me çdo qytet gjithashtu, sepse do të jenë qeveritë ato që vendosin se çfarë do të jetë e mundur e çka jo. Ndoshta do të ketë ndryshime nga një vend në tjetrin. Por, ky nuk është vetëm një problem. Nëse nuk mund të bëjmë më asgjë në një vend, do të ketë akoma 11 vende të tjera ku përgatitjet tashmë janë duke u zhvilluar. Të kesh diskutime me disa qeveri do të thotë gjithashtu se ne mund të krahasojmë qasjet e ndryshme”.

Koch u emërua nga organi drejtues i futbollit evropian në muajin janar, duke marrë rolin e këshilltarit mjekësor për “Euro 2020”. Ai është përgjegjës për të gjitha çështjet që lidhen me pandeminë Covid-19, e cila detyroi UEFA-n të shtynte garën e planifikuar të mbahet vitin e kaluar.

Edhe UEFA pranon se ndeshjet e Evropianit mund të rrisin numrin e rasteve me koronavirus Euro 2020 UEFA pranon se ndeshjet e Evropianit mund të rrisin numrin e rasteve me koronavirus

Koch më parë ishte në krye të një organi që luftoi përhapjen e koronavirusit në Zvicër. Ai ka punuar si shef i repartit të sëmundjeve ngjitëse në Zyrën Federale të Shëndetit Publik të Zvicrës.

“Euro 2020” do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 11 korrik, me Londrën, Glasgowin, Dublinin, Amsterdamin, Kopenhagën, Saint-Petersburgun, Bilbaon, Munichun, Budapestin, Bakun, Romën dhe Bukureshtin, të vendosur për të organizuar ndeshje të këtij turneu.

Londra pritet të jetë vendi në të cilin do të zhvillohen shtatë ndeshje, duke përfshirë gjysmëfinalet dhe finalen. Kohët e fundit ka pasur shumë spekulime në lidhje me ndryshimin e planeve të UEFA-s dhe mbajtjen e turneut në vetëm një vend, ose ndoshta në një numër të kufizuar vendesh.

Sidoqoftë, linja zyrtare e UEFA-s është se do t’i përmbahet planit origjinal. Konfederata Evropiane u ka dhënë afat të gjitha qyteteve nikoqire deri në fillim të muajit prillit për të treguar nëse do të jenë në gjendje të akomodojnë spektatorë brenda stadiumeve dhe me cilën përqindje të kapacitetit.

Në çdo rast, Koch është i bindur se këtë herë turneu me 24 përfaqësuese do të zhvillohet në terminin e paraparë. Ai insistoi se nuk do të ketë shtyrje tjetër, pavarësisht situatës me pandeminë e koronavirusit.

“Nuk ka diçka të tillë si një garanci 100 për qind, sepse ka gjithmonë surpriza në këtë kohë pandemie. Por, për momentin jam shumë i sigurt që këto ngjarje do të zhvillohen” tha Koch, duke iu referuar edhe Lojërave Olimpike “Tokio 2020” të shtyra gjithashtu për verën e ardhshme.

“Do të duhet të ketë ndryshime të mëdha që të mos jetë e mundur zhvillimi i këtyre ngjarjeve. Ne nuk do të heqim qafe plotësisht virusin, por kemi përvojën e vitit të kaluar dhe jemi të përgatitur me lloje të ndryshme të testeve. Gjithashtu, fushatat e vaksinimit po rriten dhe tashmë njerëzit kanë filluar të krijojnë imunitet”.

Edhe Organizimi i “Euro 2020” në shumë vende, shpërblim i UEFA-s për tifozët Sport Organizimi i “Euro 2020” në shumë vende, shpërblim i UEFA-s për tifozët

Sa i përket çështjes së ndjeshme të tifozëve që janë në gjendje të ndjekin ndeshjet nga tribunat, Koch shpreson se mund të gjendet një zgjidhje.

“Për tifozët ne do të marrim vendime deri në prill”, pranoi ai. “Por, të jesh në gjendje të shkosh në ngjarje dhe jo vetëm ngjarje sportive, është një kërkesë e ligjshme. Kjo është arsyeja pse ne po kërkojmë mënyra për të lejuar tifozët, pa marrë ndonjë rrezik të papërgjegjshëm përsipër”.