Sport

Tri gara të hapura për dy xhirot e fundit

Edhe dy xhiro kanë mbetur deri në fund të edicionit aktual në Superligën e Kosovës në futboll. Xhiroja e parafundit do të zhvillohet të shtunën, kurse e fundit të dielën e ardhshme. Shumëçka do të definohet të shtunën, por jo edhe gjithçka në garën për titull të kampionit, mbijetesë dhe dalje në Evropë. Prej dhjetë ekipeve të Superligës, vetëm Drenica është jashtë secilës garë. Drenica sezonin e ardhshëm do të garojë në Ligën e Parë. Por cila do të jetë skuadra e dytë që do të bjerë direkt nga elita dhe cila do të përfundojë në pozitën e tetë, pozitë që siguron barazhin, do të mësohet vetëm pas përfundimit të dy xhirove. E njëjtë është edhe për Evropë dhe titull kampioni.

“Është më interesanti, sepse sikur këtë vit nuk ka qenë asnjëherë lufta për titull deri në fund, kush të dalë në Evropë dhe kush të shpëtojë nga rënia nga elita. Është baraspeshuar mirë Superliga e Kosovës. Kemi pasur katër apo pesë skuadra për titull, por gabimet dhe ngecja me paga, pastaj skuadrat të cilat kanë luftuar për mbijetesë u këndellën, si Ferizaj e Dukagjini. Ferizaj e zbukuroi edicionin aktual. Me paraqitjet që ka bërë do të kisha pasur dëshirë që Ferizajn ta shoh edhe edicionin e ardhshëm në Superligë”, ka thënë trajneri Afrim Tovërlani të enjten për KOHËN.

Tovërlani është selektor i Përfaqësueses U21 të Kosovës në futboll. Edhe trajneri Bekim Isufi thotë se nuk mban mend të ketë pasur një edicion, ku gjithçka do të zgjidhet në fund të edicionit.

“Është hera e parë që nuk mund të japim llogari të sakta. Janë dhjetë variante ku këto ekipe mund të bien nga liga, ta kapin barazhin, të dalin në Evropë dhe të shpallen kampion. Kjo xhiro do të vendosë shumëçka, por jo gjithçka. Mendoj se shumë gjëra do t’i vendosë kjo xhiro. Të gjitha po luftojnë për diçka. Të gjitha po kërkojnë diçka”, ka thënë Isufi.

Për mbijetesë janë në garë Trepça ’89, Ferizaj, Malisheva dhe Llapi. Llapi deri diku e ka më të sigurt mbetjen në elitë. Është i gjashti me 42 pikë, i ndjekur nga Malisheva (40, Ferizaj (38) dhe Trepça ’89 me 37 pikë të tubuara.

“E vetmja Drenica ‘e ka prishur’ ligën, sepse strategjia e tyre dështoi, ndërsa është Ferizaj që e ka rregulluar dhe zbukuruar kampionatin. Nuk mund të them se kënd e shoh të bjerë nga liga dhe kush shpëton. Por, në bazë të tabelës, Trepça ’89 është më e rrezikuara. Edhe Ferizaj, edhe Malisheva kanë ndeshje shumë të vështira në fundjavë. Dhe, mendoj se Trepça ’89, gjithnjë nëse së paku luan baras me Dukagjinin, atëherë mund ta kërkojë edhe shpëtimin. Sipas mendimit tim, Trepça ’89 ka bërë një gabim kur ka liruar sulmuesin Christian Mba dhe në pranverë ka qenë e hendikepuar në realizimin e golave në ndeshjet kryesore”, ka shtuar Tovërlani.

89-shin si ekipin më të rrezikuar për rënie direkt nga elita, e sheh edhe Isufi.

“Më të rrezikuar e shoh Trepçën ’89. Ka ndeshje ndaj Dukagjinit dhe në fund ndaj Prishtinës. Do të varet në ndeshjen ndaj Dukagjinit. Llapit i duhet edhe një pikë, por Dukagjini dhe Ferizaj nuk mund ta arrijnë kuotën e 42 pikëve dhe aty e shoh Llapin se ka të siguruar mbijetesën. Nëse Dukagjini fiton dy pikë, Gjilani humb dy ndeshjet e vështira me Llapin dhe Ballkanin, atëherë Dukagjini nga plani i tretë apo katërt siguron daljen në Evropë. Por është vetëm supozim, pasi edhe Dukagjini ka ndeshje të vështira që ka të bëjë edhe me Ferizajn, ku në rast të humbjes të të dy ndeshjeve bie nga elita”, thotë Isufi.

Për të siguruar vendin e tretë dhe katërt janë në garë Prishtina, Dukagjini dhe Gjilani. Potencialisht edhe nga vendi i katërt mund të sigurohet dalja në Evropë. Gjithnjë nëse Gjilani mban vendin e tretë dhe fiton në finale të Kupës ndaj Prishtinës. Gjilani është në vendin e tretë më 52 pikë, Dukagjini i katërti me 47 pikë, kurse Prishtina në vendin e pestë me 45 pikë. Mundësinë matematikisht për vendin e katërt e ka edhe Llapi.

“Pastaj do të varet nga finalja e Kupës si do të përfundojë, edhe Dukagjini ka gjasat të shkojë në Evropë. Nuk do të mbesin të gjitha në xhiron e fundit, por ka gjasa që sqarohen edhe këtë fundjavë. Ky sistem i garave është për momentin më i miri, pasi dy largohen direkt, dhe ajo që shkon në barazh i zvogëlon kalkulimet. Do të kisha dashur që të kishim 18 ekipe, por vështirë po mbijetojnë në Superligë. Kanë mbetur prapa me paga dhe shumëçka”, ka theksuar Tovërlani.

Isufi thotë se daljen në Evropë nga vendi i tretë e meriton Gjilani.

“Të jemi më real, Gjilani meriton daljen në Evropë, pasi ka qëndruar më gjatë në vendin e tretë, ka pasur stabilitet të ndeshjeve, nuk ka pasur kriza. Por loja e Kupës definon gjithçka. Si të tretin e shoh Gjilanin, kurse pozita e katërt le të mbetet lufta mes Dukagjinit dhe Llapit. Vendi i katërt lirohet vetëm nëse Gjilani mbetet në vendin e tretë dhe fiton Kupën”, ka shtuar Isufi.

Dy skuadrat e para dhe të vetmet në luftë për titull janë Ballkani dhe Drita. Ballkani është lider me 69 pikë, derisa Drita në vendin e dytë me dy pikë më pak. Në rast se Ballkani dhe Drita përfundojnë me pikë të barabarta në fund, atëherë titulli do t’i takojë ekipit nga Gjilani. Drita ka bilanc më të mirë në ndeshjet direkte me Ballkanin. Dy kanë përfunduar baras (1:1 dhe 2:2), kurse një fitore ka Drita dhe një Ballkani. Kjo e fundit në Gjilan ka fituar 2:1, kurse në Suharekë, Drita e ka mposhtur 2:0.

“Nuk e ka siguruar Ballkani, por 90 për qind Ballkani do të jetë sërish, sepse Drita nuk i shfrytëzoi mundësitë që Ballkani ia dha në pranverë. Ballkanin e shoh më afër titullit”, ka thënë Tovërlani.

Më afër titullit Ballkanin e sheh edhe Isufi.

“Mendoj se 90 apo 95 për qind titulli i kampionit është në duart e Ballkanit. Të dyja ekipet e kanë një xhiro të vështirë kundër dy skuadrave që synojnë ikjen e rënies dhe barazhit, por mendoj se Ballkani ka anën psikologjike edhe orarin e ka në favor të tij”, ka thënë Isufi.

Xhiroja e 35-të

Ballkani – Ferizaj

Drita – Malisheva

Llapi – Gjilani

Prishtina – Drenica

Dukagjini – Trepça ‘89

Xhiroja e 36-të

Gjilani – Ballkani

Trepça ’89 – Prishtina

Drenica – Drita

Malisheva – Llapi

Ferizaj - Dukagjini

Image